LAJMI I FUNDIT:

Efekti i një fetfaje

Efekti i një fetfaje

Nga: Daut Dauti

Natyrisht që Homeini nuk e ka lexuar ‘Vargjet Satanike’ të Selman Rushie-së. Nuk e ka lexuar as sulmuesi i tij, i cili e sulmoi Selman Rushdie-n për ta vrarë, por për fat të mirë ai shpëtoi. Homeini e nxori fetfanë e tij për të shkaktuar lindjen e një fenomeni që nuk kishte të bënte vetëm me autorin e veprës në fjalë. Qëllimi i parë i Homeinit ka qenë që t’ua mbyllte gojën  intelektualëve myslimanë, t’i deskreditonte në mesin e myslimanëve dhe që ata (intelektualët) të ndjeheshin të pasigurt kudo që jetonin – nëse tentonin të kritikonin. Qëllimi i dytë ka qenë prova se sa do të kishte efekt fjala e tij në botën myslimane. A do ta kalonte urdhri i tij kufirin e shiasë e të zinte vend edhe të sunitët? Homeini provoi të ishte lider global shpirtëror edhe jashtë kufijve të Iranit.

Pas vdekjes se Homeinit, shteti iranian nuk është marrë me punën e kësaj fetfaje. Madje, disa zyrtarë iranianë shpesh kanë deklaruar se mund ta vritnin autorin në fjalë, kurdo që dëshironin, porse as që u shkonte mendja për këtë gjë. Do ta hiqnin edhe fetfanë, por nuk ka mundësi pasi që fetfaja shfuqizohet vetëm nga ai që e ka nxjerrë. Edhe Selman Rushdie e dinte se nuk do të sulmohej nga shteti iranian dhe këtë ua kishte thënë miqve të tij disa herë. Por, e dinte se cili do të ishte efekti i kësaj fetfaje në botën e madhe, e cila është plot me budallenj dhe fanatikë religjiozë – myslimanë në këtë rast.

Në vitin 1999 Selman Rushdie ishte ndër të parët nga grupi i intelektualëve britanikë që u bë zëri i arsyes për Kosovën. Ai kërkonte mbrojtjen e shqiptarëve, duke bërë thirrje që të intervenohet ushtarakisht në Kosovë. Prandaj, unë vendosa ta intervistoj. Si do ta gjeja unë Selman Rushdie-n? Pasi që ai mbrohej nga shërbimi sekret britanik, nuk i dihej adresa. Nuk ekzistonte kontakti me të. Nëse paraqitej diku, nuk e merrje vesh paraprakisht dhe nuk kishte mundësi t’i afroheshe. Fillova nga njerëzit që i njihja dhe që ma merrte mendja se do të më ndihmonin. Pas disa ditëve, kontakt pas kontakti, e gjeta lidhjen. Në fakt njeriu që ishte në lidhje me të ka qenë një zyrtar i lartë i partisë Liberal-Demorate britanike, i cili radhitej ndër miqtë e Kosovës. Unë e njihja këtë njeri, por nuk e dija që ishte mik i Selman Rushdie-s, dhe nga më të besueshmit e tij.

Sidoqoftë, Selman Rushdie pranoi që të intervistohej, por caktimi i kohës dhe vendit nuk varej nga ai. Prandaj, unë duhej të prisja. Pas disa javësh më erdhi lajmi se mund ta intervistoja të nesërmen në mesditë. Pasi që qëllova në Kosovë, kjo gjë nuk ndodhi. Do të bëhej një herë tjetër, mendoja unë. Por, ai pas disa javësh u shpërngul në ShBA dhe pasi që atëherë nuk ekzistonte Skype apo ndonjë mënyrë tjetër e drejtpërdrejtë online, dëshira ime për intervistë, përfundoi. Por, fakti që duhet potencuar është se ai ruhej aq shumë nga shërbimi sekret britanik, sa që nuk kishte mundësi ta arrinte dora e keqe.

Në ShBA, me kalimin e kohës, Rushdie i shpeshtoi paraqitjet publike. Siç u pa, ai e kishte keq gjykuar situatën duke menduar se të çmendurit ishin rralluar. Për fat të keq, bota është e mbushur plot me fanatikë të të gjitha religjioneve. Ndaj grupit The Beatles më 1966 janë ndërmarrë fushata linçimi dhe të shkatërrimit të disqeve në ShBA, vetëm pse në një intervistë John Lennon ka thënë: ‘Jemi më të famshëm se Jezui’.

Për fat të keq, efekti i fetfasë së Homeinit duket se është përmbushur. Vepra në fjalë e kishte qëllimin që me kritikën satirike t’i zgjonte nga gjumi myslimanët e fjetur. Por, për fat të keq, krijoi kundërefekt. Duket se e ka bugulldisë edhe më shumë jerminë e myslimanëve. Selman Rushdie është ateist, por ai nuk e ka mohuar trashëgiminë e tij kulturore myslimane. Madje, është bërë merak për të më shumë se disa myslimanë që e marrin veten për të devotshëm e që vazhdojnë të ecin symbyllur e jerëm. /Telegrafi/

Aty ku Salman Rushdie i sfidoi ata që donin t’ia mbyllnin gojën, shumëkush sot ka frikë se mos po fyen!
Lexo po ashtu Aty ku Salman Rushdie i sfidoi ata që donin t’ia mbyllnin gojën, shumëkush sot ka frikë se mos po fyen!