LAJMI I FUNDIT:

Determinizmi ndërkombëtar

Kosova. Një shtet i ri, i krijuar dhe duke funksionuar me praktika të reja, të emërtuara ndryshe, si reforma. Të ardhura – e jo të nxjerra nga vendi apo klasa intelektuale e vendit – këto reforma çdokujt, pa përjashtim, po i sjellin dëm.

Prej pasluftës, secili kosovar shpresoi se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja dhe më e mrekullueshme nga e djeshmja. S’ndodhi kështu! Arsyet i njohim të gjithë.


Në fillim me projektimin për një shtet “të qëndrueshëm” në tryeza e tavolina, pastaj me rikonstruktimin, riplanifikimin dhe rimodelimin e njerëzve që i përkitnin këtij shteti “të qëndrueshëm”, prurjet e vazhdueshme dhe dyndjet e një varg risive drejt Kosovës janë, pa dyshim, faktori numër një i një degradimi, degjenerimi dhe thyerje të moralit dhe traditës shqiptare. Mjafton të shikosh rininë në shkollimin e mesëm, lëre më atë universitar.

Thuajse ne paskemi pikur nga qielli dhe s’ditkemi asgjë prej gjëje për të jetuar qetë dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Thuajse ne nuk qenkemi po të njëjtit njerëz që ditëm të mbajmë veten dhe traditën me shekuj, pavarësisht se qemë më fatkeqit në rajon. Thuajse ne kurrë nuk paskemi pasur ndonjë rregullore që ka organizuar jetën sociale, morale, fetare e humane. Thuajse ne, “duke mos ditur asgjë sot”, duhet të mos kemi ditur asgjë edhe dikur, kur qemë Muri kinez për Evropën.

Vërtet çudi!

S’ka gjë, vetë jemi duke ia bërë vetes. Ne jemi fajtorët. Se lejojmë të na sundojë ai që nuk sundon dot veten, edhe në qoftë se është nga ne. Ai që nga ne mëson ç’është pikërisht sundimi.

Që nga viti 2000, qytetarëve të Kosovës, të mbetur padrejtësisht për gati një shekull jashtë shtetit të tyre amë, Shqipërisë, u erdhi një ligj i ri: duhet të harroni gjithçka. “Së shpejti do të keni një shtet, multietnik”, u thuhej. “Do të keni perspektivë euroatlantike”, vazhdimisht dëgjohej. “Do të emancipoheni dhe do të integroheni”, çdo ditë u flitej.

Duke përdorur një kulturë retorike, nganjëherë edhe të një niveli poshtërues, këto Rreforma gjetën ashikët e tyre, bashkëvendësit tanë dhe servilët.

Pa hezitim, si gjithmonë, pasi posedonin karakter të metamorfizuar, këto reforma u përqafuan dhe u propaganduan, si në planin e përgjithshëm të vendit, ashtu edhe në nivele më të ulëta nëpër ministri, komuna, lagje, madje edhe familje.

Çdo plan që erdhi nga jashtë u aplikua pamendueshëm. Nuk u kundërshtua as edhe një (nga ato që di populli). Kohët e fundit po sillen kinse janë kthjelluar, por është vetëm një mashtrim më shumë.

Të fundit raste më të freskëta, të cilat edhe po i sjellim vetëm sa të plotësojmë idenë dhe mesazhin e këtij artikulli, janë rastet e reformave në arsim, zgjedhje, ekonomi (reformat e privatizimit), zgjedhja e presidentes Jahjaga, dhe ato të bisedimeve me Serbinë. Gjithashtu, në këtë plan mund të rendisim pa fije problemi edhe përzierjen e ambasadorit francez Fitu dhe atij amerikan Kristofer Dell, në shumë prej punëve që nuk janë për ta. Kjo e fundit, natyrisht, ndodhë për ta realizuar në praktikë titullin e këtij artikulli, arbitraritetin e aplikimit të planifikimit ndërkombëtar.

Sa për arsim… S’e di nëse ia vlen të flitet për “suksesin që po e kemi”. Detyrim arsimimi me e pa dëshirë. Prodhim kuadrosh të panevojshëm. Të diplomuar e të papunë. Për këtë flet edhe “suksesi” i Testit të Arritshmërisë dhe ai i maturës në nivel të përgjithshëm.

Ndërsa, në bisedimet Kosovë-Serbi, duke mos dashur të komentojmë rolin dhe rëndësinë e tyre, Kosova qe pjesë e tyre vetëm sa për sy e faqe. Këtë e di gjithkush.

Jo rastësisht i kaluam zgjedhjet dhe zgjedhjen e tash presidentes Atifete Jahjaga.

Për zgjedhjet në Kosovë vlen thënia e vjetër e Billit, kasapit të Nju Jorkut (shekullit XIX), që për zgjedhjet thotë: “Nuk fiton ai që votohet më shumë, por ai që ka vota më shumë ku numërohen ato”. Ndërsa, zgjedhja e Atifete Jahjagës si presidente e Kosovës dhe vazhdimi i detyrës, krejt “rastësisht”, për sa të jetojmë ne dhe për sa të ketë jetë Kosova, do të jetë argumenti më i qartë i realizimit arbitrar të determinimit ndërkombëtar.

Qëllimisht kaluam reformat ekonomike të privatizimit, ngase askush – pos atyre që përfituan – nuk është i kënaqur me to. Nga kjo reformë kanë përfituar vetëm ata që ishin pjesë përbërëse e shitblerjes së pasurisë së shtetit. Edhe populli e edhe shteti kanë humbur, pa dyshim.

Shembuj të atyre që kanë pësuar pse kundërshtuan reformat kemi edhe tek ne, madje edhe nga ata që qenë me pozitë të lartë shtetërore, dhe nuk do të harrohen kurrë. Sepse, nëse vazhdohet kështu, ata që sot janë prijës të këtij shteti, pa pikë problemi mund të zëvendësohen me shpellorët apo analfabetët, se vetëm të ulurit në karrige është e lehtë të bëhet – nga çdokush. Dhe, ndërrimi i identitetit që të bëhesh i pëlqyer nga të tjerët, është ndëshkimi më i madh që të tjerët mund të ta bëjnë, kurdoherë.