LAJMI I FUNDIT:

Dëshmia në gjyq e Fatos Lubonjës dhe ballafaqimi me të atin: Librat e huaj babai i merrte te Kadareja

Dëshmia në gjyq e Fatos Lubonjës dhe ballafaqimi me të atin: Librat e huaj babai i merrte te Kadareja

Më poshtë mund të lexoni për të ashtuquajturin Dokumenti 65, ku është përballja mes dëshmisë së dhënë në gjyq nga Fatos Lubonja me qëndrimet e të atit, Todit, i cili hedh poshtë gjithçka.

Dokumenti në vijim është zbardhja e shënimeve të dorës, të mbajtur nga sekretaria e gjykatës së Tiranës, Shpresa Duro, gjatë njërës prej seancave të gjyqit të Todi Lubonjës më 24 shkurt 1975. Dokumenti është i konceptuar në tre pjesë.


Fatos Lubonja kishte deklaruar para trupit gjyqësor se i ati i kishte thënë pas transferimit të tij në Korçë, se sekretari i parë i Komitetit të Partisë “nuk i ka njohuritë e duhura nga ana teorike”, ndërkohë që i ati hedh poshtë dëshminë duke thënë: “Me Fatosin nuk jam dakord lidhur me ato që tha për mua me sekretarin e parë të Korçës. Këto janë trumbetuar në gojën e Fatosit nga Mihallaq Luarasi”. E, ndërkohë që i biri u kishte thënë hetuesve se “kam bërë shkrime me përmbajtje armiqësore”, shkrime që sipas tij i kishte parë edhe Todi Lubonja, ky i fundit thotë se “lidhur me shkrimet e tija nuk kam fare dijeni se n’atë kohe unë nuk flisja fare me Fatosin”.

Në procesverbal gjejmë edhe dy pika të tjera të nxehta në përplasjen at e bir. E para kishte të bënte me librat e ndaluar. Në këtë pjesë të dëshmisë Fatos Lubonja kishte përfshirë edhe Ismail Kadarenë, për të cilin ai thotë se i ati kishte vlerësim. “Librat e huaja një pjesë i porosiste babai, një pjesë i merrja unë në ndonjë shok ose babai tek Ismail Kadareja”, dëshmonte Fatos Lubonja. I ati pranon se ka lexuar letërsi të huaj në rrugë legale, e më pas, ka bërë propagandën e partisë, pa përmendur asgjë tjetër.

Një pikë tjetër e nxehtë është qëndrimi për Enver Hoxhën. Fatosi ka dëshmuar për një rast që e quanin drejtuesin e lartë të partisë një “dajrexhi”, nisur nga një manifestim i 1 Majit. I ati e kundërshton, ai mohon të ketë patur dijeni për diçka të tillë. “Tek Fatosi kishim lënë televizorin për ta rregulluar më 16 prill, unë shkova në Lezhë. Televizor nuk kisha, pra nuk pashë parakalimin e 1 Majit e s’kam dijeni mbi dajren. Unë nuk kam folur asnjëherë për të sharë udhëheqësin kryesor dhe as partinë”.

Një çështje tjetër që vjen në dëshminë e Fatos Lubonjës, ka të bëjë edhe me disa armë që mbanin në familje, por në përgjigjet e të atit për këtë temë nuk ka ndonjë reagim konkret, siç edhe do ta shikoni në dokumentin e plotë që është në vijim. /mapo/