LAJMI I FUNDIT:

Deputetja ​Kryeziu: Serbia ndodhet në pozicion të pafavorshëm për fushatë kundër Kosovës

Deputetja ​Kryeziu: Serbia ndodhet në pozicion të pafavorshëm për fushatë kundër Kosovës

Njohjet e reja dhe procesi integrues i Kosovës mbetën sfidë edhe 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Shteti vazhdon të përballet me atë që njihet si fushata e Serbisë për çnjohje të Kosovës, si dhe përpjekjet për të penguar anëtarësimin e shtetit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Nga partia në pushtet thonë se sfida e pandemisë, kriza energjetike, inflacioni e procesi i dialogut, kanë ndikuar në ngadalësimin e këtyre proceseve.


Pak kohë para se shteti t’i rrumbullakojë 15 vjet pavarësi, Qeveria e Kosovës ka zyrtarizuar kërkesën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Procesi drejt Këshillit të Evropës ka ecur goxha shumë thotë kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Kryeziu, por sipas saj, këto janë zhvillime që duhet mbajtur të mbyllura në mënyrë që të mos dëmtohet procesi.

“Situata gjeopolitike që ka ndodhur, lufta e Rusisë në Ukrainë, qasja e Serbisë, pra mos vënia e aksioneve pra mos-koordinimi në politikën e jashtme me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra ata qëndrojnë të jenë krah Putinit, krah Rusisë, të mos vendosin sanksione ndaj tyre dhe të mos dënojnë luftën që ata e kanë nisur në Ukrainë, dhe krejt kjo ka shkaktuar një pozicion jo të favorshëm të Serbisë për të bërë fushatë kundër Kosovës në këtë moment…

Kjo e ka ndihmuar Kosovën që t’i kalojë shumë më shpejtë sfidat tona të aspektit të integrimit evropian dhe ka shkaktuar një situatë shumë pafavorshme te Serbia për të bërë në këtë moment kundër fushatë për Kosovën.

Sigurisht ata kanë tentuar dhe vazhdojnë të tentojnë prapë tek shtetet ku kanë mundësi të kenë ndikim, megjithatë ne jemi duke përdorur gjithë aleatët tanë dhe gjithë mekanizmave të mundshëm që këtë ndikim mos ta lejomë të ketë efektin e vet dhe kurdo që të vije momenti që të hidhet në votim kjo çështje të mund t’i marrë votat e duhura për të kaluar edhe në Këshill të Evropës”, thotë Kryeziu në një intervistë për KosovaPress.

“Ka pasur një lëvizje të jashtëzakonshme përgjatë këtyre dy vjetëve dhe ju e dini që tash ka lëvizje edhe tek pesë shtetet mosnjohëse, pra që janë aktualisht pesë shtete që janë pengesa e të qenurit anëtare e Bashkimit Evropian, po e them pengesa jo në atë kuptimin që po e pengojnë më sepse edhe vet këto pesë shtete kanë lëvizur dhe qëndrimi i tyre tashmë është dukshëm ndryshe karshi Republikës së Kosovës.

Por duke e pasur parasysh që jemi në një fazë tejet delikate që po përfshihet edhe çështja e dialogut jashtëzakonisht shumë në krejt procesin integrues neve na duhet që shumicën e zhvillimeve që kanë ndodhur në raport me këto pesë shtetet t’i mbajnë konfidenciale sepse është shumë e rëndësishme që në këtë rast Serbia mos ta kuptojë cila është strategjia jonë në arenën ndërkombëtare, qoftë me këto pesë shtetet mosnjohëse, qoftë me shtetet e tjera që janë anëtare të organizatave ndërkombëtare ku ne synojmë të bëhemi pjesë”, thotë Kryeziu në një intervistë për KosovaPress.

Kryeziu deklaron që Serbia po vazhdon përpjekjet e saj për çnjohje por shton se institucionet e Kosovës po bëjnë punën e tyre që këto qëllime të mos arrihen.

“Kemi pasur edhe fushatën për çnjohje nga ana e Serbisë që nuk ka pushuar dhe që në forma të ndryshme ka qenë prezentë tek shtetet që kanë mundur të jenë jo stabile sa i përket qasjes së tyre me shtetin tonë, megjithatë ne e kemi bërë më të mirën tonë që krejt këto interferime nga ana e Serbisë të mos mund të bëjnë efektin e vet, pra të mos kenë rolin qysh ata kanë pasur dëshirë ta kenë, pra të mos ndikojnë deri në atë masë sa ose të tërhiqen njohje ose të mos të arrijmë të ndërtojmë raporte bilaterale me shtete të tjera”, shton ajo.

Pavarësisht pretendimeve të Serbisë për çnjohje, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk e ka ndryshuar numrin e njohjeve që figuron në faqen zyrtare dhe është 117.

Shteti i Izraelit e ka njohur Kosovën në shkurt të vitit 2021 dhe prej atëherë nuk kishte të tjera që e kanë pranuar Pavarësinë e Kosovës.

“Brenda kësaj periudhe kohore sigurisht ne jemi përballë me shumë sfida sepse ka qenë pandemia, ka qenë kriza energjetike, mandej inflacioni, ka pasur kriza të njëpasnjëshme dhe sigurisht që krejt ato qëllimet kanë qenë domosdoshmërisht të orientuara në tejkalimin e këtyre tri sfidave që nuk kanë qenë fatkeqësisht vetëm tek ne sepse janë kriza globale, por megjithatë kjo mund të ketë qenë edhe një prej arsyeve për t’i ngadalësuar këto lloj procese.

Prapë se prapë ne e kemi gjet vetën shumë mirë dhe kemi arrit të shënojmë progres të jashtëzakonshëm sepse për një periudhë dy vjeçare kemi dorëzuar kërkesën për tu bërë anëtar të Këshillit Evropës dhe të njëjtën kohë aplikacionin për tu bërë anëtar të Bashkimit Evropian dhe sigurisht që synojmë të hymë në partneritet të Paqes me NATO…

Kemi edhe shumë synime të tjera për tu bërë anëtare të mekanizmave të tjerë ndërkombëtar që do të thotë kjo përpjekja jonë për tu bërë pjesë e shtëpisë së madhe evropiane vazhdon por megjithatë është më afër se ndonjëherë tjetër…  Unë shpresoj të ketë njohje të reja por do të shohim si do shkojnë zhvillimet tani sepse mos të harrojmë që është çështja e dialogut ka ndikuar në krejt këtë proces prandaj besoj që do të ketë edhe njohje të reja”, thotë Kryeziu.

Ajo thekson se pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën vazhdojnë të jenë në fokus të interesit.

“Në vazhdimësi është bërë përpjekje mu arrit maksimumi në mënyrë që sot me qenë të tillë siç jemi, me pas këtë performancë siç e kemi pasur, dhe sigurisht që kjo mandej ka ndikuar edhe tek ndërtimi i relacioneve të reja me shtetet që kanë qenë skeptike sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës.

Siç e dini këto dy vitet e fundit, përgjatë kësaj kohe kur vendi është qeverisur nga qeveria Kurti pra kemi rritje të jashtëzakonshme të performancës në fushën ndërkombëtare dhe atë diplomatike dhe këtë madje e flasin edhe vet shtetet tona mike dhe shtetet e tjera që kanë filluar të afrohen karshi Republikës së Kosovës dhe të shohin që kështu është bërë progres sidomos në çështjet ku ata kanë menduar që ka ngecje ose mund t’i keni pasur dyshimet e veta”, thotë ajo. /kp/