LAJMI I FUNDIT:

Degradimi i vlerave

Biseda përmes telefonit ishte e dhimbshme, kur bashkëbiseduesja e tronditur më tha: m’u shkatërrua familja, sepse më iku burri dhe më la me djemtë që janë bërë për martesë… Ajo vazhdoi t’i nxjerrë faktorët shkatërrues

HM… mendova, por jo për shkurtesën HM të firmës së njohur Hennes Mauritz, por për hallin që po na kaplon dhe vendosa ta marrë guximin e të shkruaj për degradimin e vlerave tona.


Është kohë e pakohë. Mjerë ai që bie preh e trendëve në këtë kohë. Zakonisht, sipas miteve, përmes të cilave është bartë kultura e tiparet e traditës së një populli, është mësuar se në kohë të pakohë preh e trendëve të çfarëdo natyre ato të qofshin, bien ata individë të cilët ose e kanë një bazë familjare të lëkundur ose janë njerëz hiperaktivë e të këtillët karakterizohen me vrap endacakë deri sa të zënë në thua e të rrëzohen për toke. Persona të tillë në kulturën tonë janë damkosur si antivlerë dhe asnjëherë nuk ju ka lejuar që të jenë apo të bëhen pjesë e familjeve që kanë synuar që mbi të gjitha ta ruajnë dhe mbrojnë familjen.

Mjerisht, loja e këtyre trendëve që janë shfaqur në masë të jashtëzakonshme në Kosovë po gëlltit elementet e karakterit tone shqiptar si veti e veçantë në ruajtjen dhe kujdesin për familjen dhe për fëmijët deri në momentin e fundit të frymëmarrjes. Këto veti dhe kjo sakrificë që janë konsideruar si ndër vlerat më të çmuar dhe më distinktivë të popullit tonë, tani janë nën kërcënim.

Zakonisht, ndër breza është bartë fryma e vetive të shëndosha familjar dhe është marrë shembull ai kryefamiljar që e ka nënshtruar vetveten për interesin e familjes. Sa e sa herë është potencuar porosia e lënë ndër breza se lehtë është me u bë prind, por a do jesh një prind i përhershëm dhe i vërtetë. Pra, vështirësia qëndron që të jesh prind gjatë gjithë jetës. Që vërtet të jesh prind gjatë gjithë jetës, kërkon që të jesh në vazhdimësi në përkujdesje dhe ta kuptosh se kur fëmija yt është në disponim apo mungesë disponimi. Pra, të jesh vigjilent çdo ditë edhe kur zëri i fëmijës tingëllon pak më ndryshe se një ditë më parë. Me fjalë të tjera: kontaktimi i pandërprerë me fëmijën në vazhdimësi, e jo vetëm kur të tepron koha apo kur prindi gjykon se ka nevojë fëmija. Nëse prindi pret vetëm kur koha të tepron, atëherë mund të kontaktojë një person që fare nuk ka obligim ndaj tij.

Sipas traditës shqiptare, përkujdesja ndaj familjes është obligim. Kjo traditë shqiptare i kanë dhënë fuqi dhe kurajë familjes e rrjedhimisht kombit për të përballuar çdo sfidë të jetës. Duke iu falënderuar këtyre tipareve, sfiduam të gjitha betejat nëpër të cilat kaluam pa dëshirën tonë. Përveç kësaj, këto tipare pozitive kanë ndikuar që ne si popull të mos dëmtohemi në aspektin mental sikur popujt tjerë në Perëndim.

Në të vërtetë një pjesë njerëzve në Perëndimi kanë pësuar fiasko të rënd, pikërisht duke braktisur institucionin familjar dhe duke mbetur i vetmuar pa ngrohtësisë familjar dhe duke shpenzuar shuma të majme për kostot e psikofarmakëve (medicinë për psikikë). Sot këta perëndimorë që kanë pësuar rënd, si prehje e kanë një grumbull tableta apo vodkën për ta kompensuar mungesën e gjirit të familjes së ngushtë, partnerit dhe fëmijëve. Po të hulumtosh dhe të shikohen shifrat e të prekurve psikik nëpër këto vend dhe të paraqiten shkaqet faktike për gjendjen e tyre, pa mëdyshje shihet qartë mungesa e institucionit familjar.

Alarmi në Perëndim po kumbon dhe po sinjalizon për pasojat që janë duke u ballafaquar këto vende. Hapni sy e vesh…

Në anën tonë, shqetësimi ekzistues është se kur do të bie alarmi për këso lloj brengash që kanë kapluar Kosovën. Ne jemi në prag të alarmit i cili po frenohet nga dominimi heshtjes. Kjo lloj heshtje e ka burimin te mos guximi i denoncimit të tradhtive të panumërta që ndodhin në mesin tonë dhe neve i mbyllim sytë kur i afërmi ynë është tradhtarë i familjes. Kjo është një lloj sëmundje e rënd, sepse duke heshtur e mbulojmë të keqen dhe i mësojmë brezat që e keqja nuk duhet të luftohet dhe të pastrohet nga rrethin ynë. Po të tërheqim një paralelizëm, heshtja ndaj tradhtisë është e njëjtë sikurse mos denoncimi i krimit në polici. Krimi dëmton shoqërinë, kurse tradhtia dëmton familjen që është institucioni i parë i shoqërisë.

Përmbysja dhe braktisja e familjes është pasojë e përhapjes së shfalerkave dhe shfalerave (shprehje e përditshme për dashnorë) që sot janë bërë trend. Por, rrënja e një prindi në këtë trend është de fakto ikje nga përgjegjësia për familjen. Zbehja e bartjes së përgjegjësisë ndaj familjes e ka koston shumë të lartë. Në raste të tilla stimulim dhe mbështetja qind për qind ndaj fëmijëve dhe institucionit familjar si tërësi është vetëm figurative dhe veçse një numër fals.

Prirja për të shtyrë dhe ndihmuar fëmijën për ta ngritur më lartë se vetvetja, pasi që zhvillimi i vazhdueshëm i një shoqëri matet pikërisht me barometrin e zhvillimit të pasardhësve, nuk ndjehet dhe nuk spikatet brenda familjes. Pos kësaj, fëmijët në ajër përmes marrjes së oksigjenit hetojnë papastërtinë e cilitdo prindit që me manipulime të njëpasnjëshme mundohen të justifikojnë veprimet e gabuara. Pasojat vazhdojnë edhe më tej tek fëmijët që nga veprimet e prindërve dërrmohen psikikisht dhe humbin konceptin e besimit si dhe konceptin familje. Frika se mos edhe unë do të pësoj të njëjtin fat, vazhdimisht në ndër-dije i ndjek këta fëmijë që janë në fakt viktima të veprimeve të prindërve papërgjegjësi.

Fatkeqësisht, ky trend është në rritje në Kosovë dhe frenat për ndalimin e kësaj stërkeqe qëndrojnë në kokën e në dorën e secilit prind. Hezitimi për denoncim të tradhtarit ndaj tradhtisë familjar është mëkat, sepse kombi pa familjen nuk ekziston. Familja është dhe do të mbetet celula e parë shoqërore e cila donë një përkujdesje të sinqertë dhe të përjetshme.