LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po ndodh me Akademikun Qosja?!

Shumëkush ka nisur të dyshojë në akademikun prof. dr. Rexhep Qosja se mos ky njeri nuk është më ai i viteve të ’80-ta e ’90-ta. Me paraqitjet e tij (por jo vetëm të tij) në periodikun e atëhershëm, të brendshëm e të jashtëm, kishte fituar simpatinë dhe zemrat e shumicës së qytetarëve, mu për guximin dhe argumentet e fuqishme që nxirrte atëherë kundruall Serbisë së Milosheviqit dhe në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Ishin ato kohë të vështira kur sjelljet dhe veprimet represive të shtetit serb mbi popullin e Kosovës e kishin sjellë atë në një krizë të thellë shpirtërore dhe fizike, sa rrallëherë tjetër. Bile mund të thuhet lirisht se pas leximit të këtyre artikujve, ishte e pamundur që lexuesit të mos shfaqnin admirimin ndaj autorit dhe të mos u ngroheshin zemrat sado pak duke shpresuar me të drejtë se ky popull ka njerëz të aftë që mund t’i dalin zot këtij populli dhe këtij vendi dhe mund t’i kundërvihen Serbisë në çdo formë dhe në çdo mënyrë.

Tani, me paraqitjet e tij të herëpashershme me deklarata tepër të skajshme, ‘të guximshme’ dhe ‘të pamatura’, po bie ndesh me konceptin e të gjithë subjekteve, qofshin ata qeveritarë, opozitarë dhe joqeveritarë. Apo mbase po e bën këtë për shkak të zbutjes së ‘nefcit’ nga ‘zemërgjerësia’ e kësaj qeverie që ta ketë sa më afër vetes dhe nën përkujdesjen e saj, por që as ky të mos u mbetet borxh? Për çka e kemi fjalën më konkretisht? Pikërisht për deklarimin e tij para pak ditësh dhënë agjencisë Presheva Jonë, ku ndër të tjera thotë: “Unë mendoj se për t’u zgjidhur përfundimisht çështja e Kosovës, duhet të zgjidhet edhe një brengë e brendshme në Kosovë, për t’u çliruar nga serbët e veriut dhe kush është interesuar nga këta serbë nga brendia e Kosovës, mund të kalojnë atje në veri dhe ajo pjesë t’i jepet Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të thotë të bëhet shkëmbimi i territoreve, për të cilin opsion unë jam dakord”, përfundon akademik Qosja.


Dhe nuk ke se si të mos befasohesh se sa me lehtësi është ‘bërë llogaritja’ e shkëmbimit të këtyre territoreve, thua se ke të bësh me shkëmbim të mollëve me dardha! Askush s’e mohon se në çfarë gjendje jeton popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës dhe askush nuk ua bën kollaj punën dhe fatin e tyre, siç mund të dyshojmë në vullnetin e pakicës serbe për të jetuar në shtetin e Kosovës. Por na thuani kush është ai që e di saktë se kah do t’i bjerë kufiri me Serbinë nëse vije deri te shkëmbimi i veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës? A e di tamam akademik Qosja dhe mos ka informata nga burime të sigurta se në cilin kilometër parashihet ndalja e Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe e Kosovë brenda territorit të Serbisë për t’u arritur marrëveshja duke i kënaqur të dyja palët? Dhe a mund të lejohet dhe pranohet më në fund fare një propozim i këtillë para se Serbia të mos e ketë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, që pastaj kjo marrëveshje të arrihet midis dy shteteve plotësisht të barabarta?

Kujtoj se askush s’e ka këtë guxim dhe as këtë të drejtë sa të marrë mbi vete një përgjegjësi kaq të lartë për një çështje si kjo kaq të ndjeshme, kaq komplekse dhe kaq të rrezikshme. Jemi djegur në të kaluarën kaq shumë herë me Serbinë, prandaj nuk duhet nxituar, sepse korrigjimet më pastaj nuk pinë ujë. Këtë fakt duhet pasur parasysh gjatë dialogut me Serbinë dhe kjo çështje, tash për tash, as që duhet të shtrohet, sepse siç e thotë në një shkrim të tij lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, “Teza e shkëmbimit territorial përfundon e asimiluar në dialogun aktual”.

Akademik Qosja mbase mund të kishte të drejtë për t’u deklaruar për shkëmbim të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës vetëm në një rast: nëse ai e di dhe e ka të qartë 100% se Kosova, qysh do që të jetë, e ka të humbur veriun, prandaj për të mos mbetur pa të dyja, bile më mirë diçka se hiç! Mirëpo as kjo alternativë s’është fare e sigurt, sepse Serbia po pretendon dhe ka vënë në dispozicion gjithë “arsenalin” e saj politik dhe diplomatik që në të ardhmen t’i arrijë tri rezultate: veriun, kandidaturën për në BE dhe ruajtjen e Luginës së Preshevës. Nuk është e thënë që këto t’i arrijë shpejt, pasi asaj nuk i ngutet për fitore kaq të mëdha, por si të veprojë shteti i Kosovës që të mos vonohet për t’i huqur këto plane të Serbisë.