PISA, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën PISA, 2018 ka radhitur Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi.

Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Çfarë është testi Pisa?

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.

PISA është një projekt i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD. Në Irlandë, projekti menaxhohet nga Qendra e Kërkimit Arsimor në emër të Departamentit të Edukimit dhe Aftësive.

Që nga viti 2000, PISA është zbatuar çdo tre vjet, dhe 2021 është cikli i tetë i studimit. Numri i vendeve që marrin pjesë në PISA është rritur nga 32 në 2000, në 88 në 2021, duke e bërë atë një nga studimet më të mëdha në llojin e tij.

Lendet në të cilat përfshihen nxënësit në Test për t’u vlerësuar janë shkrim-lexim, matematikë dhe shkencë.  Në vitin 2021, matematika do të jetë fusha kryesore, dhe një faqe e re interaktive përshkruan kornizën e azhurnuar të matematikës PISA.

PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë. Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së studentëve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi, njofton Telegrafi.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”. Fushat kryesore sipas cikleve të studimit gjatë viteve kanë qenë si në vijim:

Ky studim ka tri nivele të vlerësimit:

Përmbajtja: kuptimi themelor i materialit;

Progresi: mendime më komplekse, siç janë interpretimi dhe analiza;

Konteksti: aplikimi i njohurive në situata të jetës reale.

Kosova për herë të parë ka qenë pjesë e këtij vlerësimi ndërkombëtar në vitin 2015, ku edhe aty tregoi rezultate të dobëta. Në testin e vitit 2015, Kosova u radhit në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve pjesëmarrëse në test.

Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme.

Gjatë këtij viti, edhe Agjencisë se Kosovës për Akreditim (AKA), nuk iu ka vazhduar anëtarësimi në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Për më tepër, klikoni KËTU

Ekspertët e arsimit: Dështimi i Kosovës në testin PISA nuk është befasues, përgjegjëse MASHT-i

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë për Telegrafin, se rezultati është zhgënjyes, por jo edhe befasues.

Sipas tij, ky rezultat ka ardhur si pasojë e mos punës në përmirësimin e gjendjes.

“Rezultati është vërtetë zhgënjyes, por nuk është befasues, sepse është pak a shumë në nivelin e gjeneratës së kaluar me disa përmirësime të vogla në pikë në fushën e leximit dhe matematikës, por edhe me keqësim të pashpjegueshëm në fushën e shkencave të natyrës. Sidoqoftë as këto përmirësime nuk paraqesin ndonjë peshë statistikore, jemi aty ku kemi qenë. Unë konsideroj se ky është rezultat i pritshëm pasi që nuk është punuar në përmirësimin e gjendjes është punuar në hartimin e planeve për përmirësimin e gjendjes dhe në proklamimin se do të përmirësohet gjendja, mirëpo kur ka ardhur puna tek veprimet praktike është bërë shumë pak ose aspak”, ka deklaruar Pupovci.

Edhe eksperti tjetër i arsimit, Rinor Qehaja ka theksuar se rezultatet nga testi PISA 2018 paraqet një përmbledhje valide dhe reale të arsimit në vend.

“Ajo rritje që është pritur dhe proklamuar nga MASHT nuk ka ndodhur. Një rezultat i tillë, nuk është befasues, dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe mos përgatitjes nga PISA 2015 më nuk qëndron, pra, dështimi është në cilësi të arsimit para universitar në vend, dhe për këtë përgjegjës është MASHT”, ka deklaruar Qehaja për Telegrafin.

Ai ka shtuar se është e pakuptime të priten rezultate më të mira, kur MASHT nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë.

“Është e patolerueshme që rekomandimet nga PISA 2015 as që janë shqyrtuar nga MASHT, dhe për këtë duhet të kërkohet përgjegjësi. Rezultat i mirë në PISA vjen nga kurrikula, dhe jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët. Pikënisje e ndryshimit duhet të jetë instalimi i llogaridhënies në arsimin në vend, përfshirë pikësëpari për të gjithë përgjegjës për këtë rezultat në testin PISA”, u shpreh Qehaja.

Nga ana tjetër, Rron Gjinovci nga organizata “ORCA” si më shqetësues e sheh faktin se nuk është marrë asnjë hap për ndryshime as për dhjetë vitet e ardhshme, përcjell Telegrafi.

“Shqetësimi kryesor është që nuk është ndërmarrë bash asgjë për të bërë ndonjë ndryshim në 10 vitet e ardhshme. Duhet të bëhet një reformë e thellë, e menduar mirë, nga ekspertë të huaj pasi po konsideroj se këtu ka pak ekspertizë për të dhënë një ide të qartë për të përmirësuar situatën. Gjëja e parë e që është e ditur tashmë është të bëhet vlerësimi i mësimdhënësve. Gabimi kryesor në sistemin tonë mendoj se janë mësimdhënësit e dobët”, deklaroi më tej Rron Gjinovci.

Reagimi i Akademisë së Shkencave

Përmes një komunikate, thonë se rezultati i PISA-s – ishte dëshpërim për të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre që do të duhej të mbanin përgjegjësinë objektive për këtë gjendje.

“Arsimi është njëri nga dështimet tona të mëdha, por moskokëçarja dhe reagimi i vakët institucional në këtë rast e bën situatën edhe më dëshpëruese, duke i dhënë asaj përmasat e një krize shoqërore, përfshirë edhe krizën morale. Kriza në arsim është kriza më e madhe e shoqërisë kosovare që në fillimet e perspektives së saj, sikundër që është zhgënjim dhe braktisje e pashembullt e idealizmit tonë historik, i mbështetur mbi idetë e iluminizmit dhe emancipimit”, thuhet në komunikatë.

Më tej, theksohet se nxënia e dijeve nuk është dështimi i vetëm në arsim, ai është vetëm një segment i dukshëm dhe i afishuar në një mënyrë të tillë, që bën të turpërohen dhe të skuqen të gjithë.

“Mungesat dhe dështimet tona janë shumë më të mëdha dhe kjo situatë na bën me dije se Kosova është e përfshirë prej shumë vitesh në një krizë të mësimit dhe të dijes, e cila si shtet dhe si komb na lë pa të ardhme”.

Sipas tyre, Testi i PISA-s nuk është dhe nuk mund të merret si komponentë artificiale e arsimit, siç pretendojnë institucionet tona.

“Ai është një indikator që tregon një gjendje dhe nuk është asnjëherë qëllim i vetvetes, që flet qartë se ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi, ngase kjo krizë nuk amniston askënd. Vetëm se, një përgjegjësi kaq e gjerë nuk do të thotë se shoqëria jonë nuk i ka të identifikuar bartësit kryesorë të shkatërrimit në arsim dhe se ata nuk janë tashmë anonimë. Ata kanë adresë, ata i njohim të gjithë: në radhë të parë janë ata që kanë marrë përgjegjësitë politike dhe institucionale për ta qeverisur vendin”, thotë ASHAK, njofton Telegrafi.

ASHAK, konsideron se, për të dalë nga kjo gjendje, qeverinë në ardhje e pret një punë e vështirë: të shpallë gjendjen emergjencë kombëtare dhe të marrë masat përkatëse, fillimisht duke i mënjanuar nga strukturat vendimmarrëse të gjithë ata që janë identifikuar si bartës proceseve negative dhe njëkohësisht duke krijuar mekanizma institucionalë për ta avancuar procesin arsimor./Telegrafi/