LAJMI I FUNDIT:

CEZ dërgon 1064 konsumatorë në prokurori

CEZ dërgon 1064 konsumatorë në prokurori

Kompania çeke CEZ, pronare e Operatorit të Sistemit të Transmetimit ka paditur në prokurori të paktën 1064 konsumatorë gjatë vitit 2010. Duke se kompania ka vendosur t’i shkojë deri në fund betejës me konsumatorët që nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike. CEZ ka ngritur grupe pune prej 3-4 vetash që kontrollojnë dhe trokasin në dyert e çdo debitori çdo ditë.

Shkak për paditë dhe marrjen e masave të rrepta kontrolluese janë bërë niveli i lartë i borxheve, i vjedhjes së energjisë elektrike në rrjet dhe i konsumatorëve që nuk pranojnë të paguajnë për shkak të kushteve ekonomike dhe mentalitetit. Ndonëse zyrtarisht kompania nuk jep një shifër përfundimtare të borxhit, jo zyrtarisht mësohet se borxhi kapërcen nivelin e 150 milionë dollarëve.

Shifrat e publikuara nga e përditshmja Shqip tregojnë se krahas padive për 1064 konsumatorë, janë gjykuar 293 raste prej të cilave 203 janë dënuar dhe rreth 138
persona kanë marrë ndëshkimin me gjoba që variojnë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, kompania bën të ditur se për rreth 65 personave gjykata ka përcaktuar dënimin me burg.

“Nuk është qëllim në vetvete dënimi i tyre, por krijimi i ndërgjegjësimit se energjia elektrike është një mall që duhet paguar,” sqaron CEZ për Shqip. Në shumë pak raste vendimet e gjykatave janë apeluar prej qytetarëve. Por, një tjetër problem I madh që kompanisë i duhet të zgjidhë janë institucionet shtetërore të cilat gjithashtu rezultojnë të jenë debitorë prej vitesh.


Në këtë pikë burimet zyrtare të CEZ veçojnë ndërmarrjet e ujësjellësve. Përplasja me këto institucione vitin e kaluar solli efekte negative zinxhir, si mungesa e ujit të pijshëm për qytetarët kur CEZ ndërpriste furnizimin me energji elektrike për ujësjellësit. Situata u zhbllokua vetëm në shtator kur qeveria pagoi 20 milionë dollarë borxhe të ujësjellësve ndaj CEZ. /Telegrafi/