LAJMI I FUNDIT:

Çështja shqiptare dhe strategjia kombëtare

Çështja shqiptare dhe strategjia kombëtare
Ilustrim

Në vargun e shkrimeve publicistiko-historike tek ne, është vepra e publicistit shqiptar Jahja Lluka me titull “Përmbledhje shkrimesh”, që është botuar këto ditë nga “Akademia e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane” në Nju-Jork dhe që është shtypur në shtypshkronjën “Dukagjini” në Pejë.

Lluka ka bërë një përpjekje të vlefshme dhe shumë serioze për të vënë përpara lexuesit shqiptar një vepër të përmbledhur me studime të thelluara, të botuara në forma të veçanta studimore nga fusha e dijes historike. Këtë autori e arriti me shumë studime dhe përplasje individuale, duke vënë në qarkullim një literaturë të zgjedhur me kujdes dhe metodologji hulumtuese që është e dendur për këtë qëllim.


Për ta vënë në shkallën e merituar shkrimet e tij, autori ka studiuar mirë arkivat në disa qendra vendore serbe e kroate, osmane, vendikase, vjeneze, raguziane etj., duke i krahasuar ato ngjarje sipas peshës historike për popullin shqiptar të këtyre trojeve.

Lluka është shumë autoritativ në fushën e faktografisë historike të marrëdhënieve shqiptaro-osmane, shqiptaro-serbo, shqiptaro-malazeze, ruso-otomane në këto anë, duke filluar nga Mesjeta, veçmas për ato të Rilindjës kombëtare e deri te ato në ditët tona. Ai më mjeshtri ka zgjedhur studime analitike që trajtojnë këto probleme si dhe çështjen shqiptare në përgjithësi, veçmas ato të ndërgjegjes shqiptare (nga Gjon Kastrioti, Gjergj Kastrioti – Skendërbeu, Andronika (Donika) Kastrioti, Pjetër Bogdani, Sylejman Vokshi, Elena Gjika, vëllëzërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Dedë Gjo Luli, Hasan Prishtinë, Rexhep Mitrovica, Nëna Tereze, Ramë Bllaca, Ibrahim Rugova, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Shaban Jashari me të bijtë Hamzën dhe Adem Jasharin, Himë Haradinajn më të bijtë Shkelzenin, Luanin, Ramushin dhe Dautin e shumë të tjerë).

Në librin e tij Jahja Lluka flet me gjuhën e fakteve për kolonizimin si dhe shpërnguljen e shqiptarëve, që ishte çdo herë plagë e dhimbshme e shqiptarëve. Qëllimi i përhershëm i fqinjëve sllavë ishte gjenocidi, duke filluar nga Bosnje dhe Hercegovina apo vrasjet masive në territorin e Kosovës. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, në një raport që e dërgoi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në nëntorin e vitit 1999, tregon se ishin evidentuar hiq më pak se 195 varreza masive me 2018 kufoma në Kosovë. Në vitin 2000 ishin regjistruar edhe 325 varreza masive me 1577 të vdekur.

Problem mbetet mungesa e hetimit të krimeve për vrasjet e më shumë se 10,600 civilëve, 20 mijë femrave të dhunuara dhe mungesa e pranimit zyrtar nga ana e UNMIK-ut dhe Republikës së Serbisë për atë që u ka ndodhur shqiptarëve nga janari i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Ndaj, libri është si bazë e një përpjekjeje për të ringjallur procesin e hetimit nga organet kompetente të Kosovës apo të ndonjë Gjykate speciale ngase UNMIK-u, EULEX-i i ”harroi” viktimat.

Lluka një vend meritor i ka dhënë periudhave kohore: 1981-1990; 1991-199z; 1998-1999; 2000-2019. Vitin 1981 e quajti vit i “Motit të madh të kombit shqiptar” apo vit i “Pranverës së madhe studentore”. Demonstratat që shpërthyen atë vit, greva e minatorëve të Trepçës më 1989, 2 korriku i vitit 1990, 7 shtatori i vitit 1990, si dhe lufta e UÇK-së (1998-1999) e shfaqën maskën serbe. Këto data historike ishin një kontestim i Jugosllavisë dhe Serbisë që Kosovën e mbante peng. Këto ngjarje s’mund të trajtohen ndryshe pos si një shpërthim vullkanik i llavës së pakënaqësisë popullore të shqiptarëve, të akumuluar dekada me radhë. Shqiptarët më nuk mund të rrinin të nënshtruar. Prandaj, menduan për çlirimin dhe për bashkimin e shqiptarëve, si e drejtë e patjetërsueshme.

Për fund, kjo vepër është për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e dhembshme të popullit shqiptar deri në ditët e sotme.