LAJMI I FUNDIT:

Çahet asfalti i rrugës “patriotike”

Çahet asfalti i rrugës “patriotike”

Pa kaluar as pesë muaj nga përfundimi i punimeve në një pjesë të rrugës, vihen re disa plasaritje në trotuarin e segmentit rrugor Kukës-Morinë. Mësohet se punimet në këtë pjesë janë ndërtuar kryesisht nga kompani shqiptare. Në pjesë të caktuara, shembjet e dheut të skrapatës dhe çarjet paraqesin rrezik për makinat dhe udhëtarët, por edhe për reputacionin e një vepre kaq të madhe siç është autostrada Durrës-Kukës-Morinë.

Ndërsa tuneli i Kalimashit, i cili me shembjen e galerisë jugore ende pa u vënë në punë shkaktoi shumë debate politike dhe profesionale, çarjet që vihen re në segmente të ndryshme të autostradës duket se po kalojnë pa zhurmë.

Çarja e parë vërehet në afërsi të godinës së ish-divizionit ushtarak të Kukësit, ku sot ndodhet një repart i forcave tokësore të ushtrisë.

Për shkak të strukturës së butë dhe lagështirës së tokës, në rreth 50 metra linearë, asfalti ka pësuar një çarje me thellësi gati disa metra. Çarjet e asfaltit, si dhe rrëshqitjet e mureve mbajtëse në këtë pjesë të autostradës, ndodhën vetëm pak muaj pas fillimit të funksionimit të aksit, ndonëse ende nuk është inauguruar si pjesë rruge.


Por plasaritjet e asfaltit nuk janë i vetmi problem që vihen re. Përgjatë këtij segmenti janë shfaqur rrëshqitje të dherave dhe rënie të gurëve në korsitë e kësaj autostrade. Në këtë pjesë të rrugës, ku shpejtësia e mjeteve shkon më shumë se 120 kilometra në orë, rënia e gurëve mund të shkaktojë aksidente tragjike për drejtuesit e automjeteve.

Specialistët tregojnë se shpejtësia minimale në këtë pjesë të autostradës është 80 km/orë, shpejtësi kjo mjaft e lartë për të shtuar probabilitetin e aksidenteve nëse në rrugë ndodhen gurë të rënë prej skrapatës.

Ndërkohë janë vërejtur shembje të trasesë në autostradë dhe në pjesë të tjera, por edhe rrëshqitja dhe dëmtimi i 20 metrave bankinë dhe korsi të emergjencës, që ndodhet rreth 2.4 km pranë pikës doganore të Morinit.

Sidoqoftë mësohet se vepra në fjalë ende nuk është dorëzuar nga ndërtuesit, ndërsa duket se edhe aftësia paguese e shtetit për punën e kryer nuk ka qenë shumë e mirë. Siç mësohet nga punëtorët e kompanive shqiptare, që kanë punuar në këto segmente, ende nuk janë paguar për katër muajt e fundit të punës. /shqip/