LAJMI I FUNDIT:

Buxhetit të Kosovës i shtohen 138 milionë euro nga të hyrat e akcizës

Buxhetit të Kosovës i shtohen 138 milionë euro nga të hyrat e akcizës

Të hyrat nga akciza nga janari i këtij vitit e deri më 15 nëntor kapin shifrën 138 milionë eurove që. karshi periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rritje për 29 milionë euro.

Njohës të çështjeve ekonomike kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re”, se mbledhja e të hyrave nga akciza ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e, po ashtu, sipas tyre, kjo shumë është rritur në saje të luftimit të kontrabandës.


Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se të hyrat e grumbulluara në buxhetin e Kosovës nga akciza për 11 muaj kapin shifrën e 138 milionë eurove. “Të hyrat nga akciza nga janari i këtij viti e deri më 15 nëntor po të këtij viti kapin shifrën 138 milionë euro, kurse gjatë periudhës së vitit të kaluar të hyrat nga akcizat ishin 109 milionë euro”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Piraj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e të hyrave nga akciza ka ardhur në saje të rritjes së akcizës së normës së akcizës dhe luftimit të ekonomisë informale. “Sipas mendimit tim, këtu ka pasur ndikim rritja e vlerës së akcizës për duhan dhe për disa mallra të tjera me përmbajtje alkoolike, si dhe ka pasur ndikim rritja e qarkullimit të mallrave me akcizë në vendin tonë. Pjesëmarrjen më të madhe e ka nafta me derivatet e saj dhe pasohet nga duhani. Pika e dytë që ka pasur ndikim në rritjen e të hyrave nga akcizat, gjithnjë sipas mendimit tim, është ulja e informalitetit”, ka deklaruar Piraj.

Ai ka thënë se grumbullimi i të hyrave ndikon në rritjen ekonomike dhe është inicial se konsumatorët kanë mundësi të harxhojnë më shumë. “Pa marrë parasysh se cili është parametri vendimtar i rritjes së të hyrave, a është rritja e vlerës së akcizës apo shtimi i harxhimit apo ulja e infomalitetit, ky është një lajm shumë i mirë, i cili drejtpërdrejt lidhet me rritjen ekonomike, ngaqë kemi të bëjmë me mundësinë e konsumatorëve për të harxhuar më shumë dhe, nga ana tjetër, është ngritja e kapaciteteve institucionale të menaxhimit dhe kontrollit të mallrave me akcizë, të cilët mallra në çdo vend të botës janë në top-listën e mallrave, të cilat më së shumti kontrabandohen”, ka deklaruar Piraj.

Edhe njohësi i tjetër i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se çdo rritje e buxhetit të shtetit do të thotë mirëqenie më e mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, rrugë më të mira, shëndetësi më të mirë, stabilitet social e ekonomik, ngritje e cilësisë në arsim, në hulumtime etj.

Sipas tij, ngritja e akcizës sjell efekte pozitive në rrjedhat ekonomike.

“Sipas vendimit për ndryshimin e normave të akcizës, ngritja e akcizës në duhan është nga 35 euro në 1 000 copë në 38 euro në 1 000 copë, ngritja e akcizës me normë prej 40-përqindësh në aparatet – makinat që përdoren në lojërat e fatit, si dhe vendosja e akcizës prej dy eurosh për kilogram në fishekzjarrë. Sipas mendimit tim, ngritja e akcizës ka efekt pozitiv, sidomos në aspektin social, edukativ dhe buxhetor, akciza mbush arkën e shtetit dhe çka është më e rëndësishme, nuk bie në kundërshtim me direktivat e BE-së. Ndërsa efekt negativ ka sepse stimulon rritjen e kontrabandës. Ne jemi dëshmitarë se sa shpesh dogana e Kosovës ballafaqohet me produkte të kontrabanduara, të cilat kryesisht vijnë nga Republika e Serbisë, Maqedonisë etj. Kjo kontrabandë po e dëmton tej mase buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Beqiri. /Telegrafi/