LAJMI I FUNDIT:

Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion

Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion

Tetë muaj pas prezantimit të draftit jo pa debate, Këshilli i Ministrave ka miratuar “Planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”. Sipas vendimit, për dhjetë vjet menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës, Elva Margariti, ka hyrë në fuqi duke u botuar edhe në fletoren zyrtare, në mbështetje të kushtetutës edhe të ligjit për “Trashëgiminë kulturore edhe muzetë”, pas diskutimeve të shumta nga specialistët e trashëgimisë.


Referuar “Ligjit të Trashëgimisë Kulturore”, neni 172 përcakton se fondacionet e posaçme të trashëgimisë kulturore, në këtë rast Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ka si qëllim “Administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore, mbrojtjen, ruajtjen, restaurimin, vlerësimin e pasurive kulturore dhe dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë, në mënyrë joshteruese, qoftë veç e veç”.

Ndërkohë, para disa muajsh ky plan menaxhimi u miratua edhe nga Këshilli Kombëtar i trashëgimisë, ku sipas drejtuesit të Institut të Arkeologjisë, Luan Përzhita, janë reflektuar të gjitha pikat e diskutuara nga specialistët e trashëgimisë mbi kërkimet shkencore, asestet dhe laboratorët apo edhe hapësirat e tjera, që kanë të bëjnë me ekspeditat arkeologjike.

Plani i ri synon të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit me 9,000 hektarë.

Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në vitin 2018 Butrintin e kanë vizituar 211,500 persona. Deri në vitin 2023, Butrintin presupozohet që ta vizitojnë 300 mijë vetë. Nga muaj janar 2020, çmimi i biletës për të vizituar Parkun e Butrintit është një mijë lekë. Të ardhurat vjetore nga biletat gjatë viteve të kaluar kanë arritur rreth 1,5 milion euro. /GSh/