LAJMI I FUNDIT:

Bullgaria, jo me lezet Burgas-Aleksandropoulos

Bullgaria, jo me lezet Burgas-Aleksandropoulos

Qeveria bullgare hodhi një hap zyrtar drejt braktisjes së projektit të naftësjellësit Burgas-Aleksadropoulos dje, kur shpalli se do t‘ia kalojë përgjegjësinë kompanisë shtetërore "Energy Holding", - njoftoi media vendase.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Plevneliev, do t‘ia transferojë përgjegjësinë për zbatimin e projektit kompanisë në fjalë brenda javës së ardhshme, gjë që nënkupton edhe dhënien fund të mbështetjes shtetërore për këtë projekt.

Më herët, i njëjti ministër pati deklaruar se projekti që mbështetet nga Kremlini, nuk ka leverdi ekonomike. Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë, patën vijuar në të njëjtën linjë kur deklaruan se "Bullgaria nuk ka para për një projekt të tillë".

Naftësjellësi u konceptua një dekadë më parë si një mjet që do të shmangte transportin e naftës përmes ngushticës së mbingarkuar me trafik të Bosforit.


Rusiae pa si një projekt strategjik, pasi pronësia mbi të mund të përcaktojë se kush do ta kontrollojë fluksin e naftës së Detit Kaspik para se të dalë në treg ndërkombëtar.

Një duzinë projektesh të tjera kanë të njëjtin funksion dhe janë mbështetur nga lobingje të ndryshme ndërkombëtare.

Ekspertët e Agjencisë Energjetike të Vjenës thonë se vetëm një apo dy projekte të tilla kanë realisht mundësi të ndërtohen. Mes tyre është edhe i shumëpërfoluri Burgas-Vlorë, i cili për momentin mbetet një dokument nëpër sirtarë. /shqip/