LAJMI I FUNDIT:

Britani, 2.5 milionë të papunë

Britani, 2.5 milionë të papunë

Papunësia në Britaninë e Madhe është rritur me 44 mijë persona vetëm në dhjetor, ndërsa shifra e përgjithshme e të papunësisë kalon tani 2.5 milionë shtetas.

Të dhënat u publikuan të mërkurën nga Zyra e Statistikave Kombëtare. Më shqetësuese është papunësia midis të rinjve, me më shumë se një person në pesë midis moshave 16-24 vjeç, që nuk është në gjendje të gjejë një vend pune.

Në total, pothuajse një milion nga “armata” e të papunëve janë në moshë të re. Shifrat do të thonë se papunësia totale në Britani të Madhe është prej 7.9 për qind të krahut aktiv të punës, ndërsa papunësia rinore është 20.5 për qind.

Ndërkohë, numri i personave që bëjnë një punë me orar të pjesshëm pasi nuk janë në gjendje të sigurojnë një me orar të plotë ka prekur rekordin e 1.19 milionë britanikëve.


Kryeministri David Cameron e ka përcaktuar më parë papunësinë, sidomos atë të moshave të reja, si një shqetësim të thellë për vendin. /Telegrafi/