LAJMI I FUNDIT:

Bregdeti i Jonit, prioritet i investimeve

Bregdeti i Jonit, prioritet i investimeve

Vendin e autostradës Durrës-Kukës, për sa i përket prioritetit në investime, do ta zënë rrugët përgjatë bregdetit të Jonit. Brenda vitit të ardhshëm, pritet të përfundojnë të gjitha rrugët dhe rrugicat e fshatrave në zonën turistike. Ky është premtimi që ka bërë kryeministri Sali Berisha nga qyteti i Vlorës, ku ka inauguruar fillimin e punimeve për konstruksionin e rrugës Peshkëpi - Ura e Drashovicës.

Sipas kreut të qeverisë, kompletimi i infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare do të krijojë mundësitë e zhvillimit të një turizmi konkurrues.

"Me infrastrukturën e re rrugore, me ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e bregdetit Jon, kushtet për turizmin bëhen gjithmonë më të mira e më të lakmueshme. Ne jemi të vendosur që brenda vitit 2010 të kemi përfunduar tërësisht asfaltimin e të gjitha rrugëve, rrugicave të fshatrave në të gjithë zonën turistike",- ka deklaruar Berisha.

Sipas kryeministrit, ndërtimi i rrugëve do të shoqërohet me përmirësim të ndjeshëm edhe në furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm të këtyre zonave. "Ne jemi të vendosur të garantojmë furnizimin më ujë, të përmirësojmë ndjeshëm furnizimin me energji, pasi TEC-i i Vlorës krijon tashmë një mundësi të madhe për të balancuar sistemin energjetik të vendit",- ka shtuar Berisha.