LAJMI I FUNDIT:

BQK: Rritja ekonomike 3.9%

BQK: Rritja ekonomike 3.9%

Këtë vit më shumë shpresa për rritje ekonomike. E gjithë rezultat pozitive priten të vijnë si rezultat i koncesionimit të Brezovicës dhe vazhdimi i punimeve në autostradën Prishtinë –Shkup. Parashikimet makroekonomike të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) vlerësojnë se norma reale e rritjes së PBB-së në vitin 2015 pritet të jetë 3.9 për qind.

Bazuar në raportin e fundit të publikuar të BQK-së, raporti i Zhvillimeve Makroekonomike , për dallim me vitin e kaluar gjatë vitit 2015, investimet pritet të karakterizohen me rritje reale prej 17.9 për qind dhe të kontribuojnë në rritjen e PBB-së me 4.3 pikë përqindje.

BQK ka paraparë që të ketë rritje të investimeve private edhe si rezultat i aktivitetit kreditor, i cili pritet të përshpejtohet për shkak të rënies së normave të interesit në kredi si dhe lehtësimit të standardeve për aprovimin e kredive nga ana e bankave. Si rezultat i rritjes së investimeve, pritet që të shtohet edhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej PBB-në nga 24.0 për qind sa ishte në vitin 2014 në 27.4 për qind në vitin 2015.
Për këtë vit BQK, vlerëson se bilanci i llogarisë së transfereve në vitin 2015 pritet të shënojë suficit prej 1.2 miliard euro që është për 2.2 për qind më i ulët se sa suficiti i shënuar në vitin paraprak. Ky zvogëlim i suficitit i atribuohet kryesisht zvogëlimit të transfereve qeveritare për 15.2 për qind. Në anën tjetër, transferet tjera private pritet të shënojnë rritje neto prej 2.4 për qind.


Po ashtu, BQK në raport ka vlerësuar se konsumi, si komponenta kryesore e kërkesës së brendshme, pritet që edhe gjatë vitit 2015 të kontribuojë pozitivisht në rritjen ekonomike por me një shkallë më të vogël të kontributit se sa në vitin paraprak.

Ky raport po ashtu ka publikuar të dhënat për investimet e huaja direkte. Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë në periudhën janar-qershor 2014, ku sipas raportit të BQK-së, shënuan vlerën prej 38.9 milionë euro që është për 110.1 milionë euro më ulët, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Vlera më e ulët e IHD-ve në gjysmën e parë të vitit 2014 kryesisht i atribuohet edhe shitjes së aksioneve të disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë, rezidentëve kosovar por edhe shpërndarjes së superdividendës nga disa prej kompanive të huaja”, thuhet në raport.

Të dhënat e BQK-së për vitin e kaluar tregojnë se bilanci i llogarisë financiare në qershor 2014 ishte -86.28 milionë euro, krahasuar me bilancin prej -128.1 milionë euro në qershor 2013. “Ky ndryshim i bilancit të llogarisë financiare i atribuohet jo vetëm zvogëlimit të aseteve por edhe nivelit më të ulët të detyrimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Asetet u zvogëluan për 19.8 milionë euro, ndërkohë që në qershor 2013 patën shënuar rritje prej 6.3 milionë euro, ndërsa detyrimet të cilat në gjysmën e parë të vitit 2013 patën shënuar rritje prej 134.3 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2014 u rritën për 66.4 milionë euro”, thuhet në raport.

Ndërsa, sipas të dhënave të BQK-së, deficiti në llogarinë e mallrave shënoi vlerën 932.0 milion euro në gjysmën e parë të vitit 2014, që paraqet një rritje prej 2.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Rënia e vlerës së mallrave të eksportuara nga Kosova kundrejt rritjes së lehtë të mallrave të importuara në vend ka ndikuar që raporti i mbulimit të importeve nga eksportet të zvogëlohet në 12.4 për qind në qershor 2014, nga 13.1 për qind sa ishte në qershor të vitit paraprak”, thuhet në raportin e BQK-së.

Sipas të dhënave të BQK-së, pjesëmarrja e eksporteve të Kosovës në gjithsej PBB vijoi të mbetet e ulët prej vetëm rreth 5 për qind në gjysmën e parë të vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, gjithsej eksportet e Kosovës u zvogëluan për 5.9 për qind kundrejt periudhës së njëjtë të vitit paraprak, duke arritur vlerën prej 141 milionë euro. /Telegrafi/