LAJMI I FUNDIT:

Bizneset, lënë Kosovën për Maqedoninë

Bizneset, lënë Kosovën për Maqedoninë

Kompania C.N.C NOLL GRUPE L.L.C, e cila veprimtarinë biznesore e zhvillon në Fushë Kosovë, tash e tri vite dhe është bashkë investitorë më një kompani gjermane, në mungesë të kushteve të të bërit biznes në Kosovë, rrezikon që veprimtarinë e saj ta zhvendos në Maqedoni.

Selman Kadriu pronar i kompanisë, tha se janë disa faktorë ekomomik që ja pamundëson zhvillimin e biznesit të tij. Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami për Radio Dukagjinin e ka pranuar se shtetet fqinjë u ofrojnë mundësi më të mira bizneseve.

Problemet me furnizim të energjisë elektrike, mungesa e kuadrove arsimorë dhe administrata tatimore e Kosovës, janë probleme të cilat Selman Kadriut po ja pamundësojnë që të eksportojë produktet e tij, për të cilat tash e tre vite, po mundohet që së bashku me një investitor gjerman, të zhvillojnë biznesin e tij.
Selman Kadriu pronar i kësaj kompanie, tha se merret me përpunimet e metaleve në CNC makina, të cilat pastaj i eksporton në Gjermani dhe Zvicër. Ai thekson se është lodhur me kushtet që ofron shteti dhe se biznesin e tij, ka shumë mundësi ta zhvendos në Maqedoni.


“Unë biznesin do ta zhvendosi në Maqedoni, kam qenë në biseda edhe nuk mund ta duroj këtë punë kësisoj, kom pas takim me zëvendësambasadorin gjerman, dhe i kam tregu shqetësimet e mia, nuk po kanë as ata mundësi për me ndikuar më tepër në qeveritarët tonë për me ndërmarr diçka, rreth bizneseve që me na ndihmuar për me muajt na me prodhuar rahat edhe mi krijuar një klimë të përshtatshme për biznes”.
Ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës e pranojnë që shteti, nuk u ofron një ambient të duhur për biznese. Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, për Radio Dukagjini ka thënë se janë në njohuri se shtetet fqinje, ofrojnë mundësi më të mëdha të të bërit biznes.

“Jemi të njoftuar gjithashtu edhe me ofertat që kanë vendet e rajonit për investimet e huaja, gjendemi në një pozitë ndoshta jo të lakmueshmë për arsye se vendet e regjionit po bëjnë gjithçka që të tërheqin investimet e huaja, ne nuk kemi resurse financiare të ofrojmë momentalisht atë çfarë të tjerët po ofrojnë, por megjithatë ka hapësirë dhe jemi të vetëdijshëm që ka shumë herë të bërë në këtë drejtim”, tha Bajrami.

Ditëve të fundit është raportuar se shumë biznese vendore dhe të huaja, po ikin nga Kosova drejt shtetit maqedonas, ndërsa lidhur me hallet dhe kushtet e bizneseve në Kosovë, ditëve në vijim pritet një takim i kryeministrit të Kosovës me bizneset që operojnë në vendin tonë. /Radio Dukagjini/Telegrafi/