LAJMI I FUNDIT:

Bizneset, “fajtore” për vonesën e punimeve te “Sheshi” në Mitrovicë

Bizneset, “fajtore” për vonesën e punimeve te “Sheshi” në Mitrovicë

Punimet tek “Sheshi” në Mitrovicë, ndonëse të parapara të përfundojnë më 10 shkurt të këtij viti, ende nuk janë realizuar.

Zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës, Hysni Syla, ka treguar për Telegrafin rreth punimeve në sheshin e qytetit. Sipas tij, fillimi i punimeve sipas kontratës ka nisur më 12 maj 2014 dhe afati i përfundimit ka qen deri më 10 shkurt 2015. Ndonëse punimet deri tani nuk janë përfunduar, Komuna ka zgjatur afatin për përfundimit të projektit.

Dhe për mos përfundimin e tij, ndër tjerash janë bërë “fajtorë” edhe bizneset të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë kësaj punishteje.


Sipas Sylës, në projektin e “Sheshit” përfshihen punët: Pllakëzimi i Sheshit rreth 20,000 metra katrorë, si dhe instalimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujërave atmosferikë!

Po ashtu zëdhënësi Syla ka shtuar se “vonesa nuk ka sa i përket planifikimit të punëve”, ndërsa sa i përket afateve, ai ka shtuar se “ka vonesa që janë si pasojë e disa procedurave”. “Nga kryetari i Komunës kemi një ndërhyrje, me të cilën kërkohet ndërprerje e punimeve me arsyetimin se gjatë muajve të verës, përkatësisht muajit gusht, do ndikojnë në rentabilitetin e bizneseve që gjende përgjatë vendpunishtes”, ka thënë Syla.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe kërkesat nga grupe qytetarësh dhe ambientalistësh për rishikim të zonave me gjelbërim të ulët dhe të lartë (që të ruhen – mos dëmtohen). Fajtor për vonesën në punime, zëdhënësi Syla e ka bërë edhe motin.

Financimi i projektit në fjalë është bërë 100 për qind nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian në Kosovë ku kompania kontraktuese është SHPK “JEHONA” nga Malisheva.

Ndërkaq mbikëqyrës i realizimit të projektit është “Louis Berger”, kompani po ashtu e zgjedhur nga investitori. /Telegrafi/