LAJMI I FUNDIT:

Bilanci tregtar i BE-së në shërbime arrin në 190 miliardë euro

Bilanci tregtar i BE-së në shërbime arrin në 190 miliardë euro

Sipas të dhënave për vitin 2018, eksportet e shërbimeve të Bashkimit Evropian në pjesën tjetër të botës u rritën me 0.7 për qind midis vitit 2017 dhe 2018 nga 912.4 miliardë në 918.5 miliardë euro, ndërsa importet u rritën me 1.1 për qind apo nga 720.7 miliardë në 728.48 euro miliardë.

Si pasojë, suficiti tregtar i BE-së në shërbime arriti 190.1 miliardë euro në vitin 2018 apo 0.8 për qind më pak se vlera për vitin 2017.

Eksportet e BE-së dominoheshin nga shërbimet e tjera të biznesit, që përbënin një të katërtën e eksporteve totale jashtë BE-së, pasuar nga transporti me 18 për qind dhe shërbimet e udhëtimit me 15 për qind.


Shërbimet e tjera të biznesit ishin gjithashtu kategoria më e madhe e shërbimeve të importuara nga BE-ja me 29 për qind të importeve përpara shërbimeve të transportit me 18 për qind, udhëtimit me 15 për qind dhe pagesave për përdorimin e pronës intelektuale me 15 për qind.

“Suficiti i BE-së në vitin 2018 ishte kryesisht për shkak të tepricave në shërbimet e telekomunikacionit dhe informacionit me 82 miliardë euro, transportit me 31.9 miliardë euro, udhëtimeve me 30.7 miliardë euro dhe shërbimeve financiare me 32.1 miliardë euro. Një deficit prej 41.1 miliardë eurosh është regjistruar nga përdorimi i pronësisë intelektuale”, thotë Eurostat, përcjell Telegrafi.

Zyra evropiane e Statistikave thotë se në vitin 2018, partnerët kryesorë për eksportet e shërbimeve të BE-së mbetën Shtetet e Bashkuara me 27 për qind të eksporteve dhe Zvicra me 13 për qind, përpara Kinës me 6 për qind dhe Japonisë me 4 për qind. Partneri kryesor për importin e shërbimeve të BE-së vazhdojnë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 31 për qind të importeve, pasuar nga Zvicra me 8 për qind dhe Kina me 4 për qind.

Në vitin 2018, BE-ja regjistroi tepricat për tregtinë e shërbimeve me të gjithë partnerët kryesorë, me përjashtim të Indisë me 2.6 miliardë euro. Deri më tani suficiti më i madh ishte me Zvicrën me 57.9 miliardë euro, përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 23.1 miliardë euro, Kinës me 21.2 miliardë euro, Japonisë me 14.9 miliardë euro dhe Rusisë me 14.1 miliardë euro. /Telegrafi/