LAJMI I FUNDIT:

Berisha kërkon qasje rajonale për turizmin

Berisha kërkon qasje rajonale për turizmin

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kërkoi të enjten një qasje rajonale për zhvillimin e turizmit në Ballkan. Ai tha se Shqipëria ka potenciale turistike.

Kryeministri Sali Berisha tha se është në interes të vendeve të rajonit dhe qytetarëve të tyre që të ketë “një infrastrukturë rajonale turistike për të gjitha vendet tona”. “Ne do të përpiqemi për një përballje rajonale të kësaj dege kaq madhore të ekonomisë shqiptare. Përballja rajonale do ta bëjë Shqipërinë por edhe vendet e tjera të rajonit shumë më tërheqëse, do të ridimensionojë potencialet e vërteta turistike të vendeve tona”, tha kryeministri.

Berisha vlerësoi burimet turistike të Shqipërisë duke thënë se turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. “Shqipëria do të ndërtojë turizmin e këtij shekulli, turizmin më miqësor, më mjedisor”, tha kryeministri, duke theksuar potencialet e Shqipërisë në këtë fushë.

Kryeministri tha se fluksi i turistëve gjatë verës së këtij viti në Shqipëri është “frymëzim” për qeverinë dhe për shqiptarët për të pasur një vështrim të ri për vendin e tyre. Berisha theksoi pasuritë natyrore të Shqipërisë, vijën e saj bregdetare dhe malet që ofrojnë turizëm dimëror.


“Malet e Shqipërisë ofrojnë potenciale për resurset turistike më të bukura, më të këndshme dhe mbajnë borë jo më pak se alpet e Austrisë dhe alpet e vendeve të tjera”, tha Berisha. /Telegrafi/