LAJMI I FUNDIT:

Belgët investojnë 300 milionë euro në Deçan?

Belgët investojnë 300 milionë euro në Deçan?

Kompania “Belenergy” nga Belgjika ka zgjedhur komunën e Deçanit të investojë rreth 300 milionë euro për ndërtimin e fluturakeve që prodhojnë energji nga era.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie Hajdin Bela ka shpalosur projektin dhe ofertën të premten tek kreu komunal dhe në prani të ekspertëve lokalë të Deçanit lidhur me realizimin e projekteve për prodhimin e energjisë alternative, paraprakisht të fluturakeve që mundësojnë prodhimin e energjisë elektrike nga era.

“Deçani, për shkak të konfiguracionit të tij, është shumë atraktiv për realizimin e projekteve të energjisë alternative”, ka thënë Bela. Në këtë bisedë ofertuese përfaqësuesi i firmës belge “Belenergy” ka pohuar se për realizimin e këtij projekti kapital ekzistojnë të gjitha garancitë bankare të kompanisë në fjalë për investime deri në 300 milionë euro.

Sipas eksperteve të kompanisë “Belenergy”, në fazën e parë të projektit brenda disa ditëve do të fillojë puna shkencore e ekspertizës së fizibilitetit, dhe menjëherë do të fillojë edhe puna në ndërtimin dhe ngritjen e 150 fluturakeve, që do të jenë të shpërndara edhe në disa komuna të tjera të Rrafshit të Dukagjinit. Belaj i ka premtuar kryetarit të Deçanit, Rasim Selmanaj, se pas ndërtimit të fluturakeve pritet të ndërtohet edhe një fabrikë për prodhimin e tyre.


“Nuk do të ndalemi vetëm me kaq. Në projekt është saktësuar dhe planifikuar jo vetëm prodhimi i energjisë alternative, por do të ngrihet edhe fabrika për prodhimin e stabilimenteve për fluturake me mundësi reale të punësimit të afro 200 punëtorëve”, ka thënë Bela.

Ndërkaq, kryetari Selmanaj ka premtuar përkrahjen institucionale dhe gjithçka që është në kuadër të ligjeve për investimet që do t’i bëjë kjo kompani nga Belgjika. /Agjencitë/Telegrafi/