LAJMI I FUNDIT:

BE me projekte kundër krizës

BE me projekte kundër krizës

Bashkimi Europian ka hartuar një “listë dëshirash” prej gati 2 mijë projektesh, me një vlerë prej 1.3 trilion euro.
Këto projekte pritet të përfshihen në planin e investimeve për të rigjallëruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, por pa rritur borxhin e vendeve anëtare. Investimet kanë qënë një “viktimë” e krizës financiare në Europë, që kanë rënë me rreth 20% që nga kriza financiare e vitit 2008, referuar të dhënave të Bankës Qendrore Europiane.

Në anën tjetër, shumica e vendeve anëtare duan të lehtësojnë “ashpërsinë” e buxheteve që ka dominuar politikën deri më tani. Pas thirrjes së bërë nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, qeveritë e Bashkimit Europian kanë paraqitur projekte, duke filluar nga një terminal i ri në aeroportin e Helsinkit e deri tek mbrojtja nga përmbytjet në Britani.

“Rreth 2 mijë projekte janë identifikuar deri më tani, që kanë një kosto prej 1.3 trilion euro. Nga kjo shumë rreth 500 miliardë euro do të realizohen brenda 3 viteve të ardhshme”, thuhet në dokumentin e hartuar nga qeveritë, nga Banka Europiane e Investimeve dhe nga Komisioni Europian. ky dokument është edhe tema kryesore e diskutimeve të ministrave të financave të Bashkimit Europian.


Komisioneri për ekonominë, Pierre Moscovici, deklaroi se ekonomia e brishtë është një thirrje që plani ambicioz i investimeve të realizohet sa më shpejt. Por, ekonomistët shprehen se nuk ka asnjë garanci se këto projekte do të ndihmojnë në uljen e papunësisë rekord, në largimin e kërcënimit të deflacionit në zonën euro, apo në përmirësimin e besimit të biznesit.

Ndër projektet që gjenden në listë, e cila nuk është ende përfundimtare, përfshihet strehimi në Holandë, një port i ri në Irlandë dhe një linjë hekurudhore e shpejtësisë së lartë që midis Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, me një kosto prej 4.5 miliardë euro. /Telegrafi/