LAJMI I FUNDIT:

BE-ja përkrah përmirësimin e mjedisit në Kosovë

BE-ja përkrah përmirësimin e mjedisit në Kosovë

Bashkimi Evropian të martën ka lansuar një projekt për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë. Përfitues kryesor i projektit do të Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), organ përgjegjës për mbledhjen dhe përpunimin e informatave në lidhje me gjendjen e mjedisit.

AMMK-ja deri në fund të projektit do të përmirësojë sistemin për monitorim dhe raportim mjedisor në harmoni me kërkesat e Agjencisë Evropiane për Mjedis.

Ekspertët e financuar nga BE-ja do të mbështesin AMMK-në në themelimin e një sistemi modern për menaxhimin e të dhënave mjedisore, si dhe në përgatitjen e strategjisë për vetëdijesim publik. Synimi është që të vendoset një proces i përmirësimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të kushteve mjedisore, përfshirë këtu cilësinë e ajrit, menaxhimin dhe kontrollin e resurseve ujore, me qëllim të plotësimit të standardeve të BE-së.

Kohëzgjatja e këtij projekti të binjakëzimit të financuar nga BE-ja do të jetë 22 muaj. Partnerët implementues janë Agjencia Austriake për Mjedis – Umweltbundesamt (UBA) në bashkëpunim me ekspertë nga Instituti Meteorologjik të Finlandës dhe me Qendrën për Mjedis, Gjeologji dhe Meteorologji në Letoni.


Binjakëzimi është një prej instrumenteve kyçe që ndihmojnë përpjekjet integruese të Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane. /Telegrafi/