LAJMI I FUNDIT:

BE e shqetësuar nga humbja e 33 milionë valixheve në vit

BE e shqetësuar nga humbja e 33 milionë valixheve në vit

Humbja e valixheve është kthyer në një shqetësim tashmë jo vetëm për pasagjerët dhe kompanitë ajrore që përballen me stresin e gjetjes së tyre, por edhe vetë Bashkimin Evropian. Vetëm vitin e kaluar janë shënuar 33 milionë raste të humbjes së valixheve nga ana e pasagjerëve, që do të thotë 90 000 valixhe në ditë dhe një shifër të tillë, BE e ka konsideruar si aspak të pranueshme dhe normale.

Ka qenë komisionari i BE për Transportin, Antonio Tajani, i cili ka paraqitur në raportin e tij se 1 në çdo 70 pasagjerë nuk i gjen më valixhet e veta nëse i humbet ato.

Ndërsa sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane të Pasagjerëve, 1 në 64 pasagjerë është i prekur nga dukuria e humbjes së valixhes, madje thuhet se në Evropë 15% e valixheve të humbura përfundojnë në ndonjë ankand.

Ndonëse shumica e pasagjerëve i merr përsëri valixhet brenda dy ditësh, shumë valixhe të vogla dhe çanta nuk gjenden më.


Lidhur me këtë fakt, bëhet e ditur se për vitin e ardhshëm komisioni i Bashkimit Evropian do të hartojë rregulla të reja ligjore, siç është e drejta e zhdëmtimit me vlerën deri në 1100 euro nëse valixhja nuk gjendet më.