LAJMI I FUNDIT:

Bankat në Shqipëri jo transparente

Bankat në Shqipëri jo transparente

Shërbimet bankare në Shqipëri janë jo transparente, aplikojnë tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim dhe nuk informojnë klientët për ndryshimet që bëjnë për kushtet e punës, Autoriteti i Konkurrencës konkludon në një raport të hartuar pas një vëzhgimi një-vjeçar të tregut në të cilin operojnë bankat e nivelit të dytë.

E përditshmja Mapo raportoi të premten se qëllimi i këtij monitorimi ka qenë vlerësimi i sjelljes së bankave të nivelit të dytë, transparenca me klientët dhe krahasimi i tarifave të shërbimeve që këto banka aplikojnë në Shqipëri me bankat homologe në rajon.

Duke bërë një qasje krahasuese me tarifat e shërbimeve me bankat e rajonit, nga raporti rezulton se brenda të njëjtit Grup Bankar, bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare sesa bankat homologe në rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.

Më tej, raporti vë në dukje se bankat tregtare shfaqin mungesë të transparence në raport me klientët e tyre, gjë që reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare. Për rrjedhojë raporti nënvizon se në këto kushte është e vështirë të analizohet shkalla e konkurrencës efektive midis operatorëve të tregut.


Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se për disa shërbime si për shembull llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, bankat aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhën vendase, duke i vënë konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti i cituar nga Mapo vëren se nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. /Telegrafi/