LAJMI I FUNDIT:

Bankat në Kosovë – stabile

Bankat në Kosovë – stabile

Tregu bankar në Kosovë është stabil. Ky është vlerësim i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. Ai thekson se sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe pa pasoja të drejtpërdrejta nga kriza globale financiare, që ka goditur shumë vende të botës.

"Sektori bankar drejtpërdrejt nuk është prekur nga kriza, për shkak se ekspozimi i tregut bankar të Kosovës në tregjet bankare ka qenë shumë i limituar dhe kryesisht burimet e financimit i ka të brendshme, prandaj është një garë e shtuar në tregun bankar sa i përket tërheqjes së depozitarëve dhe njëkohësisht është duke vazhduar rritja e depozitave, është duke vazhduar rritja e kreditimit. Kështu që sektori bankar mbetet akoma një sektor shumë i rëndësishëm, i cili e dinamizon zhvillimin ekonomik të Kosovës", ka thënë Rexhepi.

Guvernatori Rexhepi nuk sheh ndonjë shenjë, qoftë edhe të vogël që mund të sjellë kokëçarje në bankat, që veprojnë aktualisht në Kosovë. Ai vë në dukje se të dhënat më të reja nga bankat në Kosovë tregojnë për rritje të depozitave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

"Trendi është i rritjes. Domethënë depozitat në sektor janë duke u rritur, kështu që aktualisht në depozitat e përgjithshme në sektorin bankar, apo në bankat komerciale të Kosovës veç e ka kaluar shifrën e 1 miliard e gjysmë, që është një rritje diku rreth 20 për qind në raport me vitin e kaluar. Mirëpo rritja është më e vogël, në qoftë se e krahasojmë koeficientin e rritjes me vitin 2008, në periudhën e njëjtë, ka qenë për 2 për qind rritja më e madhe se sa në këtë vit", ka thënë Rexhepi.


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosoëvs Hashim Rexhepi, ndonëse thotë se kreditimi i ekonomisë dhe i qytetarëve është duke vazhduar me një ritëm gati të njëjtë si më parë, megjithatë, e pranon se bankat tani janë shumë më të kujdesshme me rastin e lejimit të kredive. /RTV21/