LAJMI I FUNDIT:

Bankat amerikane i kthehen fitimeve

Bankat amerikane i kthehen fitimeve

Gjiganti i financave amerikane, Goldman Sachs, raportoi dje fitime prej 3.44 miliardë dollarësh për tremujorin e dytë të këtij viti, duke habitur ekspertët dhe duke dhënë një leksion se si mund të menaxhohet biznesi në kohë krize botërore.

Fitimet dolën në pah vetëm një muaj pasi banka pagoi borxhin prej 10 miliardë dollarësh që ia kishte marrë qeverisë federale në ndihmë për të përballuar krizën. Fitimet e bankës u rritën nga të ardhura të bollshme të realizuara në tregtinë e monedhave dhe mallrave.

Goldman vendosi të ndërmarrë rreziqe edhe më të mëdha për të realizuar fitimet që i nevojiteshin për të mbuluar pasojat e krizës. Rreziku duket se ia vlejti, megjithëse disa ekspertë paralajmëruan se një biznes i tillë i përqendruar te shkëmbimi valutor dhe tregtia e mallrave, është më shumë një lloj bixhozi se sa investim konvencional.

Kriza financiare ndërkombëtare detyroi shumë banka investimesh amerikane, mes të cilave edhe Goldman Sachs, të hiqte dorë nga pavarësia institucionale dhe të pranonte mbikëqyrjen e Rezervave Federale, duke marrë tiparin e një banke të zakonshme paradepozitueze. Disa banka të tjera si JPMorgan Chase pritet të raportojnë gjithashtu rezultate të mira financiare javën e ardhshme.