LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore mbështet me 30.9 milionë dollarë Kosovën

Banka Botërore mbështet me 30.9 milionë dollarë Kosovën

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar operacionin e parë të Programit për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm që siguron mbështetje për buxhetin e Kosovës.

Ky është veprimi i parë i mbështetjes së buxhetit të Qeverisë së Kosovës sipas procedurave të Bankës Botërore që nga anëtarësimi i saj në Grupin e Bankës Botërore me 29 qershor 2009. Mbështetja do të shkojë drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës për të financuar nevojat e përgjithshme të buxhetit.

Programi i Bankës Botërore financohet nga 10 donatorë ndërkombëtarë si Republika Çeke, Danimarka, Komuniteti Evropian (KE), Estonia, Finlanda, Italia, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe SHBA-të, ku të gjithë janë pajtuar që të sigurojnë fonde për mbështetjen e buxhetit të Kosovës në formë grantesh për tre vite.

Shuma totale për disbursim për transhin e parë të aprovuar do të jetë 30.9 milionë dollarë amerikanë. Nga kjo shumë 13.5 milionë dollarë amerikanë janë grant dhe 6.3 milionë dollarë amerikanë janë kredi e butë nga Grupi i Bankës Botërore dhe 11.1 milionë dollarë amerikanë janë grante nga donatorë tjerë që kanë kontribuar në këtë fond të mirëbesimit.


Programi për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm do të mbështesë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të mbajtur një kornizë stabile makroekonomike, duke rritur njëkohësisht transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e shpenzimeve publike dhe duke vënë themelet institucionale dhe legjislative për një punësim dhe rritje ekonomike të qëndrueshme në Kosovë. /Telegrafi/