LAJMI I FUNDIT:

Babai im nga Xhukashvili, fqinji i Stalinit e truprojë i carit, që përmes Serbisë erdhi me Zogun në Shqipëri…

Babai im nga Xhukashvili, fqinji i Stalinit e truprojë i carit, që përmes Serbisë erdhi me Zogun në Shqipëri…

Jovan Batishevi, me origjinë është nga fshati Xhukashvil i Gjeorgjisë, ku babai i tij, Gavrili, kishte njohje me Stalinin. Ata shkonin keq, pasi Josif Visiaranoviqi (Stalini) ishte shumë problematik dhe nuk linte gjë pa bërë në të gjithë fshatin e tij. Familjes së Gavrilit ai ua vidhte kuajt. Pasi arrti të shkollohej dhe të diplomohej me rezultate të larta në akademitë ushtarake të Moskës, babai i Jovanit shërbeu për disa kohë në Gardën Mbretërore në Pallatin e Carit, si truprojë i Romanovit të II-të. Pas fitores së bolshevikëve në Revolucionin e Tetorit dhe ardhjes së Leninit e Stalinit në pushtet, u largua nga Rusia dhe u vendos në ish-Jugosllavi. Në dhjetorin e vitit 1924 iu bashkua repartit të rusëve të bardhë që kishin qenë aty si emigrantë politikë, me gjeneralin Vrangel, dhe shkoi në Shqipëri me Ahmet Zogun për të shërbyer pranë tij deri në prillin e vitit 1939. Çfarë bëri Gavril Batishevi në periudhën e pushtimit të vendit dhe si rrodhi jeta e tij dhe e rusëve të bardhë gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës…?

Nga: Dashnor Kaloç

Z. Jovan, cila është origjina e familjes suaj?


Origjina e familjes sonë është nga fshati Xhukashvil i Gjeorgjisë, ku në 17 mars të vitit 1895 ka lindur dhe babai im, Gavril Ivan Batishevi, apo siç njihej ndryshe me mbiemrin Xhukashvli, për shkak të fshatit nga vinte. Gjyshi im, Ivan Batishevi, ka pasur shtatë djem dhe dy vajza, ndërsa babai im, Gavrili, ishte i pesti nga fëmijët. Siç na ka pas treguar babai, familja e tij ka qenë një familje me prejardhje fisnike dhe shumë e pasur me prona e pasuri të shumta. Fshati Xhukashvil ka qenë një fshat tepër i njohur, pasi aty ka lindur e ka banuar për shumë vite edhe Josif Visarianoviq Stalini me gjithë familjen e tij, e cila njihej me mbiemrin Xhukashvilli. Familja e babait tim ka qenë komshi me ta dhe vetëm një gardh i ndante nga familja e babait të Stalinit.

A ka pasur njohje babai juaj me Stalinin?

Patjetër, im atë e ka njohur personalisht shumë mirë Stalinin, por ndonjë miqësi të madhe me të nuk ka pasur kurrë. Kjo gjë vinte jo vetëm për faktin se Stalini ka qenë disa vjet më i madh në moshë, por edhe sepse ndërmjet dy familjeve, asaj të babait tim dhe asaj të Stalinit, nuk ekzistonte asnjë lloj miqësie. Ka pasur disa arsye që ato nuk bëheshin me njëra tjetrën.

Konkretisht, çfarë….?

Po, e para ishte origjina. Familja e babait tim, e cila në atë kohë përbëhej prej afro 75 anëtarëve, ishte një familje e pasur dhe fisnike në disa breza. Prej saj kishin dalë shumë djem e vajza të shkolluara, ndërsa ajo e Stalinit nuk ishte e tillë. E dyta, familja e babait tim ishte një familje që e përkrahte dhe kontribuonte për Carin e Rusisë, ndërsa ajo e Stalinit ishte kundërshtare e tij.

Çfarë ju tregonte tjetër babai lidhur me familjen e Stalinit?

Babai na tregonte se familja e Stalinit ka qenë një familje shumë problematike dhe me kontradita të shumta me të gjitha familjet e tjera të fshatit Xhukashvill. Babai na thoshte se vetëm njëri nga familja e Stalinit ka qenë njeri i mirë, kurse të gjithë të tjerët, përfshirë edhe Stalinin, ishin si kaçakë. Sa ishin në fshat, Stalini, apo Josifi siç quhej asokohe, me njerëzit e familjes së tij e kalonin gjithë kohën duke vjedhur dhe plaçkitur kryesisht kuajt e familjeve të tjera fshatare, të cilët më pas i shisnin në fshatrat e tjerë. Atë gjë, pra vjedhjen e kuajve, etj., ça të gjenin, ata e bënin edhe me familjen tonë, edhe pse ishim komshinj me ta.

Kthehemi tek babai juaj, ku u shkollua ai?

Shkollën fillore, tetëvjeçaren dhe të mesmen, babai i mbaroi në fshatin e lindjes në Xhukashvill dhe më pas ai u regjistrua për oficer në shkollën e kadetëve në Moskë, të cilën e mbaroi me rezultate shumë të mira aty nga viti 1915.

Pas diplomimit në shkollën e oficerëve, ku u emërua?

Babai u caktua në një repart afër Moskës ku shërbeu për një vit e gjysmë. Gjatë asaj kohe reparti ku shërbente Gavrili, u sulmua disa herë nga forcat bolshevike dhe për trimëritë e treguara në mbrojtjen e repartit të tij, babai u dekorua me Kryqin e Artë të Carit të Rusisë, Nikollai Romanovi i II-të, duke u shpallur “Hero i Carit”. Pas kësaj, si shpërblim, babanë e dërguan në Akademinë Ushtarake në Moskë, në degën e Kavalerisë, të cilën ai e mbaroi me rezultate shumë të mira në qershorin e vitit 1915, duke fituar gradën superiore. Në vitin 1915, kur babai shërbente në repartin ushtarak afër Moskës, babai i tij, Ivani, e shpërnguli të gjithë familjen e tij nga fshati Xhukashvill dhe u vendos në fshatin Stavropol afër Kaukazit. Një nga arsyet kryesore të largimit të tyre, ishte ajo se ata nuk i duronin dot bëmat e familjes së Stalinit, e cila nuk i linte rehat duke i plaçkitur herë pas here.

Po pas mbarimit të akademisë ushtarake, ku shërbeu babai?

Pas mbarimit të akademisë ushtarake, Gavrili u thërrit për të shërbyer brenda në Pallatin Mbretëror të Carit, i njohur ndryshe si Pallati i Dimrit. Në atë detyrë babai shërbeu deri në fundin e gushtit të vitit 1917, kohë kur u shkri dhe reparti i Gardës Mbretërore të Carit. Pas kësaj babai mori dy rrogat e fundit dhe u kthye pranë familjes në fshatin Stavropol.

Sa qëndroi babai në fshat dhe ku shkoi më pas?

Aty nuk qëndroi për shumë kohë, pasi duke qenë se kishte shërbyer në Pallatin e Carit, kërkohej për t’u vrarë nga forcat bolshevike. Babai më tregonte se në atë kohë i ati i tij, Ivani, i dha një shumë të madhe parash dhe i tha të largohej edhe nga Rusia, pasi forcat e majta të Leninit ishin në prag të fitores së tyre. Në atë kohë, shumë nga rusët e bardhë emigruan për në Francë e SHBA, kurse Gavrili u detyrua dhe emigroi në ish-Jugosllavi së bashku me shumë ish-ushtarakë të tjerë të Carit, duke u sistemuar në Beograd me statusin e azilantit politik.

Po në Jugosllavi, sa qëndroi babai?

Në Jugosllavi qëndroi deri në dhjetorin e vitit 1924, kur së bashku me disa rusë të tjerë të bardhë, u zgjodh për të shoqëruar Zogun në rikthimin e tij në Shqipëri. Që nga dhjetori i vitit 1924 kur erdhi në Tiranë, e deri në shtatë prillin e vitit 1939 kur Zogu u detyrua të largohej nga Shqipëria, babai im ka shërbyer vazhdimisht në Pallatin Mbretëror të Zogut, por si oficer i thjeshtë.

Po si shpjegohet që babai juaj shërbeu si oficerë i thjeshtë pranë Mbretit Zog, në një kohë kur ai kishte mbaruar shkollat dhe akademinë ushtarake në Moskë dhe duhej të ishte oficer madhor?!

Edhe pse kishte kryer akademinë ushtarake në Moskë dhe ishte dekoruar me Kryqin e Artë “Hero i Carit”, kur erdhi në Shqipëri, nuk e di se për çfarë arsye babai nuk i tregoi gradat dhe siç thashë ai shërbeu si oficer i thjeshtë.

A kishte afrimitet babai me Zogun?

Babai nuk ka pasur ndonjë afrimitet të madh me Zogun, por di që ai i ka pas dhuruar Zogut shpatën që ia kishin dhënë kur e kishin dekoruar “Hero i Carit”.

Po kë ka pasur mik të ngushtë Mbreti Zog nga rusët e bardhë?

Miku i ngushtë i Zogut ishte Boris Beleski, i cili gjithashtu ishte shoku më i ngushtë i babait.

Po të tjerë nga rusët e bardhë, kë ka pasur mik Mbreti Zog?

Përveç rusit të bardh Boris Beleski, mik i ngushtë i tij ka qenë dhe Llavrent Paqoku.

Të kthehemi tek ardhja e rusëve të bardhë në Shqipëri. Ku u sistemuan ata?

Fillimisht, të gjithë rusët e bardhë që shoqëruan Zogun, u sistemuan në Hotel “Elbasani” i cili ndodhej diku në qendër të Tiranës, fare pranë xhamisë.

Edhe babai juaj, aty ndenji?

Po, fillimisht aty u sistemua bashkë me të tjerët, ndërsa në vitin 1937 kur ai u martua me nënën time, Marushe Haxhinasta, ata morën një shtëpi me qera pranë xhamisë tjetër, atje ku sot është lagja “Ali Demi”. Nga ajo martesë kam lindur vetëm unë më 29 tetor të vitit 1939, pasi prindërit e mi nuk patën fëmijë të tjerë.

Gjatë kohës që babai juaj ishte në Shqipëri, a u lidh ai ndonjëherë me familjen e tij që kishte lënë në atdheun e tij?

Babai tentoi disa herë të lidhej me familjen e tij, por nuk mundi se nuk kishte asnjë adresë. Ndoshta familja e tij mund të ishte përndjekur nga regjimi komunist i Stalinit si ish-përkrahës të Carit dhe nuk dihej ku kishin përfunduar.

Pas largimit të Zogut në prillin e 1939-ës, çfarë ndodhi me babanë tuaj. Pra në kohën e pushtimit të vendit?

Në vitin 1940, babai u arrestua nga italianët duke u akuzuar se kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik në Shqipëri për përhapjen e ideve komuniste dhe për këtë gjë u internua në disa ishuj të Italisë.

Sa kohë qëndroi babai në internim?

Në internim nuk qëndroi më shumë se gjashtë muaj pasi, si duket, ky pretendim u sqarua dhe babai u lirua e erdhi përsëri në Shqipëri. Pas kësaj ai filloi punë në Kopshtin Zoologjik të Tiranës (që ndodhej aty ku sot është lulishtja e Parlamentit), ku kishte vetëm arinj.

Sa kohë punoi babai aty?

Aty babai punoi deri sa vdiq në prillin e vitit 1960.

Nga se vdiq babai?

Vdekja e babait për mua ka ngelur mjaft e dyshimtë, pasi ai ishte një njeri me fizik të fortë (2.04 m. i gjatë) dhe nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje. Kur vdiq babai më 11 prill 1960, unë isha ushtar në kufi dhe kur erdha në shtëpi me leje, ai ishte varrosur. Nëna më tregoi se babait i kishte plasur stomaku dhe e kishin shtruar urgjent në spital, por më tej nuk dinte se si e kishin mjekuar. Nëna vazhdimisht dyshonte për vdekjen e babait dhe për këtë gjë unë pyeta pas disa kohësh doktor Papariston, i cili më tha se nuk e mbante mend pasi ai operonte me dhjetëra pacientë.

Ju vetë ku keni punuar?

Pasi mbarova gjimnazin në vitin 1958 dhe u lirova nga ushtria në vitin 1961, fillova punë si tornitor dhe dispeçer në uzinën “Enver” ku kam punuar deri në vitin 1995 kur dola në pension.

Gjatë atyre viteve a keni pasur probleme dhe a ua përmendnin ndonjëherë të kaluarën e babait?

Në përgjithësi nuk më kanë ngacmuar, por ka pasur raste kur në punë më thoshin: “Babai yt solli Zogun në Shqipëri”, apo kur kaloja në rrugë më thoshin: “Ja po kalon ky rusi i bardhë”. Derisa ishte gjallë babai, nuk na kanë ngacmuar shumë, por disa probleme të vogla i patëm pas vdekjes së tij kur erdhëm me shtëpi këtu afër shkollës “Alqi Kondi”. Në atë kohë Fronti filloi të gërmonte në biografinë e tij dhe në vitin 1964 na bënë kontroll në shtëpi dhe na sekuestruan pjesën më të madhe të fotografive të babait ku ai kishte dalë si ushtarak i Carit dhe i Zogut. Pas këtij kontrolli na propozuan disa herë për të na internuar nga Tirana, por përsëri nuk na lëvizën.

A ka pasur miqësi babai juaj me familjet tiranase?

Gavrili ka pasur mik të ngushtë vetëm Cen Murthin, një tiranas që shiste pemë aty tek Pedagogjikja ku ne banonim me qera tek Mazrrekët, një familje tiranase me të cilën shkonim shumë mirë. Me Cenin babai pinte ndonjë gotë herë tek dyqani i tij dhe herë në shtëpinë tonë. Me njeri tjetër babai nuk shoqërohej, pasi ka qenë një tip shumë i mbyllur dhe më shumë rrinte në shtëpi duke lexuar librat e shumtë që kishte në bibliotekën e tij personale.

Po me rusët e tjerë që kishin ardhur në Shqipëri bashkë me babanë tuaj, ç’ndodhi, cili ishte fati i tyre në regjimin komunist të Enver Hoxhës?

Nga rusët e bardhë që erdhën me Zogun në Shqipëri, më shumë se gjysma qëndruan këtu duke u martuar dhe duke krijuar familjet e tyre.

Me kë ruajti miqësinë babai?

Pas viteve 1945, babai ruajti miqësinë me disa prej tyre, por dy miqtë më të ngushtë ai kishte Nikolla Prohrin dhe Viktor Lenivenkon. Që nga koha e Zogut, Nikolla kishte punuar si kuzhinier, ndërsa Viktori si mekanik tek SITA. Edhe pas vitit 1945 Nikolla vazhdoi të punonte si kuzhinier, kurse Viktori punoi si mekanik që nga viti 1949 e deri sa doli në pension.

A e ruajti babai juaj miqësinë me ata të dy?

Jo vetëm që e ruajti, por duke i pasur miq të ngushtë, si beqarë që ishin, babai i mbajti ata në shtëpinë tonë tek “Ali Demi”. Nikolla vdiq aty në shtëpinë tonë në vitin 1958, kurse kur u martova unë dhe ishim shumë ngushtë, Viktori shkoi në Azilin e Pleqve ku dhe vdiq në fillimin e viteve 1980. Edhe me Llavrent Paqokun që vdiq në vitin 1965, babai e ruajti miqësinë.

Gjatë atyre viteve, a kujtoni që babai të fliste ndonjëherë për ish-shokun e tij të fëmijërisë, Stalinin?

Babai nuk fliste kurrë për Stalinin dhe kur i vinte ndonjë nga shokët e tij në shtëpi, unë e dija detyrën që duhej të largohesha për në dhomën tjetër. Të gjitha këto që po u tregoj, përfshirë ato që ju thashë për Stalinin, unë mezi ia kam shkëputur atij ndër vite, apo më saktë ia kam dëgjuar vjedhurazi kur bisedonte rrallë ndonjëherë me nënën, apo me shokët e tij, rusë të bardhë.

A pati babai juaj probleme me regjimin komunist dhe si u trajtua prej tyre?

Babai nuk pati asnjë problem nga komunistët që erdhën në pushtet në 1944 dhe ai vazhdoi të punonte në Kopshtin Zoologjik njëlloj si më parë. Një nga arsyet kryesore që mendoj unë se ai nuk u ngacmua prej komunistëve, ishte fakti se ai kishte qenë i internuar në Itali nga fashistët, me akuzën e ardhjes në Shqipëri për përhapjen e ideve komuniste. Kjo mendoj se duhet të ketë qenë, si të thuash, alibia që e shpëtoi babanë nga hakmarrja e komunistëve, kur dihet fare mirë se disa nga rusët e tjerë të bardhë u masakruan prej tyre. Njëri nga ata ishte Boris Beleski, miku më i ngushtë i babait, gruaja e të cilit, Kalina, ishte nunaja ime.

Po pas viteve 1990, a tentuat që të lidheshit me familjen e babait në ish-Bashkimin Sovjetik?

Gjatë viteve 1990 shkova disa herë në ambasadën ruse në Tiranë, por megjithë dëshirën e madhe të tyre nuk mundëm të krijonim dot asnjë lidhje. Pas vitit 2000, kam shkuar disa herë në Rusi ku jeton e punon njëri nga dy djemtë e mijë, por përsëri nuk kam marrë asnjë të dhënë për familjen e babait tim. /Memorie.al/