LAJMI I FUNDIT:

Aviacioni Civil “plaçkitë” udhëtarët

Aviacioni Civil “plaçkitë” udhëtarët

Çdo udhëtar mbi 2 vjeç që fluturon nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, duhet të paguajë një tarifë në vlerë prej 2 euro për çështje të sigurisë. Kjo praktikë ka filluar të zbatohet tash e 8 vjet, që nga viti 2006, kur UNMIK-u, përmes një Urdhërese Administrative 2006/2, e cila thuhet se është në pajtim me Rregulloren nr. 2003/18.

Në emër të tarifës së sigurisë, brenda dy viteve Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC), ka grumbulluar rreth 3 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit fiskal 2013 janë mbledhur 1,634,706.00 euro nga Autoriteti i Aviacionit Civil në emër të kësaj tarife. Kurse gjatë vitit 2014, që sapo e lëmë pas, janë grumbulluar 1,359,146.00 euro.

Fillimisht niveli i kësaj tarife ishte përcaktuar më i lartë, 2.20 euro për çdo udhëtar në nisje, bazuar në koston operative të rregullatorit të atëhershëm të aviacionit civil (ish-Zyra Rregullatore e Aviacionit Civil).


Kurse pas pavarësisë, me marrjen e përgjegjësive në fushën e aviacionit nga institucionet e Republikës së Kosovës, niveli i kësaj tarife ishte ulur nga 2.20 euro në nivelin e tanishëm prej 2 euro. /Zëri/Telegrafi/