LAJMI I FUNDIT:

Autostrada, punimet nuk pritet të fillojnë këtë vit

Autostrada, punimet nuk pritet të fillojnë këtë vit

Me gjithë premtimet e Qeverisë se autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar do nisë këtë vit, proceset për ndërtimin e saj po vonohen. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, këtë vit mund të bëhet vetëm përzgjedhja e kompanisë fituese, ndërkaq në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i autostradës së parë kosovare.

Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar nuk do të fillojë të ndërtohet këtë muaj, ashtu siç ishte paralajmëruar, por një gjë e tillë mund të ndodhë tek në vitin tjetër.

Kështu thotë Xhevdet Pozhari, zëdhënës në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke shtuar se gjatë këtij viti mund të bëhet vetëm përzgjedhja e kompanisë fituese.

“Presim që përzgjedhja të ndodhë në muajin dhjetor, të shpallet edhe kompania fituese nga shtatë kompanitë që janë në listën e ngushtë. Ato janë kompani shumë serioze, që janë të dëshmuara me punën e tyre dhe do të shpallet ajo që do t’i përmbushë të gjitha kriteret”, thotë Pozhari.


Mirëpo, se kur do të fillojë të ndërtohet autostrada Morinë-Merdarë , e cila direkt lidh Kosovën me bregdetin shqiptar, Xhevdet Pozhari shpjegon:

“Në këtë rast, s’ka dyshim që menjëherë pas 30 ditësh, posa të shpallet fituesi, kompania fituese do t’i fillojë edhe punimet në këtë autostradë”.

Autostrada e parë kosovare Morinë-Prishtinë-Merdar, ka një gjatësi prej 117 kilometrash dhe është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.

Traseja e autostradës, sipas MTPT-së, parashihet të kalojë në tetë komuna, dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë.

Por, nga kjo ministri, mbetet ende e paqartë se sa është kostoja përfundimtare e këtij projekti.

Problem tjetër në këtë segment mbetet edhe shpronësimi i tokave private, edhe pse zyrtarë qeveritarë kanë deklaruar se procedurat e shpronësimit të tokave të rreth 600 pronarëve, nëpër të cilat pritet të kalojë autostrada, tashmë kanë filluar. /Telegrafi/rel/