LAJMI I FUNDIT:

Autostrada Prizren – Prishtinë

Këto ditë është aktuale dhe shumë e përfolur si në mediet elektronike ashtu edhe të shkruara autostrada Vërmicë – Merdar si një projekt i një rëndësie të veçantë strategjike, ekonomike, rajonale, ballkanike për Kosovën.

Por sipas mendimit tim, duhet të kthjellemi pakëz, dhe të analizojmë këtë projekt kapital në disa aspekte të veçanta, duke u nisur prej asaj nacionales (kombëtares) shqiptare, ekonomike, komerciale, ballkanike. Titullin e kësaj analize e emërtova jo autostrada Vërmicë – Merdar, por autostrada Prizren – Prishtinë.


Janë disa arsye që e pagëzova këtë autostradë me nocionin Prizren- Prishtinë, të cilët do të ceki si më poshtë.

Pas përfundimit të ndërtimit (pritet që të përfundojë gjer në fund të vitit 2010) të autostradës Durrës – Morinë, ka qenë e logjikshme që kjo tani të vazhdojë edhe me pjesën kosovare, duke u nisur nga kufiri në Vërmicë, drejt Prizrenit dhe të përfundojë në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë.

Ashtu që Tirana si kryeqytet i Shqipërisë së bashku me Durrësin, qytet i dytë kryesor në Shqipëri për nga rëndësia e tij, dalja në detin Adriatik dhe porti i Durrësit, do të lidhej me Prishtinën, kryeqytet i Kosovës, dhe Prizrenin si qytet i dytë kryesor dhe i një rëndësie të veçantë historike, kulturore dhe turistike të Kosovës.

Me përfundimin e pjesës kosovare do të realizohet edhe “bashkimi” apo afrimi i dy kryeqendrave shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës. Sikurse neve kosovarëve që është i një rëndësie të veçantë strategjike, nacionale, ekonomike, turistike autostrada Durrës – Morinë, ashtu edhe për shqiptarët të Shqipërisë do të jetë i një rëndësie të veçantë, pasi Durrësin dhe Tiranën e afron me të madhe me Prizrenin e Prishtinën.

Po ashtu në këtë aspekt do të përfitojë edhe Prishtina, meqense shkurtohet me të madhe dhe afrohet distanca dhe lidhja me Tiranën, por edhe Prizreni pasi që afrohet dhe shkurtohet distanca me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Për momentin, sugjerojë që autostrada të përfundojë në Prishtinë, pasi që tani u bë definitive se kjo autostradë nuk do të jetë e një rëndësie të veçantë ballkanike dhe panevropiane, sepse Serbia me shpalljen e ndërtimit të autostradës Veri – Jug, prej Beogradit e gjer në kufi me Mal të Zi, për të vazhduar më tutje lidhjen me portin e Tivarit, e ka anashkaluar dhe për momentin as që është e interesuar në një të ardhme të afërt të ndërtojë autostradën e vet prej Nishit gjer në kufi me Kosovën, e cila do të vazhdojë me autostradën Merdar- Vërmicë, Morinë – Durrës, për t’u lidhur me portin e Durrësit.

Njashtu kohë më parë edhe Mali i Zi shpalli ndërtimin e autostradës Jug – Veri, duke u nisur nga porti i Tivarit e deri në kufi me Serbi, me të cilin do të lidhej me autostradën serbe Veri – Jug e cila përfundon në Beograd. Për këtë arsye ne nuk guxojmë të lejojmë vetes atë luks për momentin, pasi që nuk kemi as kapacitet financiar, dhe me një zhvillim ekonomik çfarë e kemi, nuk mund të hyjmë në projekt për të vazhduar autostradën gjer në Merdar, pasi që ajo do të përfundonte deri në kufi, pa mundësi lidhjeje të mëtejme me Serbinë. Në momentin që Serbia tregon interes që të ndërtojë autostradën prej Nishit e gjer në kufi me Kosovën, atëherë edhe Kosova mund të vazhdojë me vazhdimin e ndërtimit të autostradës prej Prishtinës gjer në Merdar, dhe me një distancë të mbetur vetëm prej 30 -40 km gjatësie varësisht prej trasesë se ku do të kalon.

Rëndësia e dytë strategjike rrugore e Kosovës, është ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup, me një gjatësi prej rreth 60 km, dhe atë në faza, pasi që tani për momentin janë të ndërtuar rreth 10 km nga dalja prej Prishtinës e gjer në kthesën te QMI-ja për në Prizren, me mundësi vazhdimi në fazën e parë gjer në Ferizaj, e në faza të mëtejme në Kaçanik, e që do të përfundon me kufirin në Han të Elezit.

Edhe pse gjer në ditët e sotshme pala maqedonase nuk ka treguar për momentin interesin për të ndërtuar 22 km autostradë prej Shkupit gjer në kufi me Hanin e Elezit, edhe pse me dëshirë i ka ndërtuar disa autostrada të brendshme siç janë, Shkup – Kumanovë, Shkup – Veles – Gjevgjeli, Shkup – Tetovë – Gostivar, porse në një të ardhme të afërt pala maqedonase medoemos do të jetë e detyruar nga aspekti ekonomik dhe komercial, që ta ndërtojë edhe autostradën prej vetëm 22 km prej Shkupit e gjer në kufi me Kosovën.

Njashtu për momentin nuk është e një rëndësie të veçantë ideja e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Pejë – Kullë, gjer në kufirin malazias, pasi që pala malaziase për momentin është e orientuar në ndërtimin e autostradës së më parë cekur Jug- Veri, dhe se me ndërtimin e autostradës Prishtinë – Prizren, Morinë – Durrës, distanca apo rruga për në Mal të Zi është shkurtuar për gjysmë, ashtu që nëpërmjet Shkodrës mund të arrihet për vetëm 4 orë gjer në Ulqin e Podgoricë, në krahasim me 8 orët e tanishme nëpërmjet Kullës e Rozhajës.

Për momentin është nonsens i llojit të vet të flitet për ndërtimin e autostradës Prizren – Tetovë, që është hedhur si ide nga disa individ gjatë fushatës zgjedhore në Prizren, akoma nuk po mund të kuptojë se si individët e caktuar politik nuk po munden të dallojnë kompetencat qendrore nga kompetencat lokale. Po edhe të ndërtohej ajo do të mbetet në gjysmë gjer në kufi me Maqedoni, në rast se pala maqedonase nuk tregon interesim për vazhdimin e ndërtimit të pjesës së saj të autostradës, prej kufirit e gjer në Tetovë, e sa është e interesuar pala maqedonase për momentin, tregon fakti që edhe pse janë vetëm 22 km rrugë prej Shkupit gjer në Han të Elezit, për momentin nuk ka në plan ndërtimin e saj.

Në aspektin ekonomik, kostoja e ndërtimit të autostradës Prizren –Prishtinë do të kishte më pak harxhime, pothuajse gjysmën e mjeteve të parapara sipas parallogarisë së parë, pasi që do të ishin vetëm 70-80 km në krahasim me projektin e tanishëm prej 110-120 km të parapara të autostradës Vërmicë – Merdar. Kjo shumë do të ishte shumë më e kapshme edhe për buxhetin e Kosovës pasi që nga rreth 800 milion euro, duke marrë për bazë një çmim më të arsyeshëm për ndërtimin e saj, pasi që edhe reliefi i tokës është më i përshtatshëm kundruall asaj në Shqipëri, shuma totale prej 400 milion euro do të ishte më lehtë e përballueshme për buxhetin e Kosovës, nga e cila do të mund të hyhej në marrjen e kredisë prej 200 milion euro, ndërsa gjysma tjetër do të mund të financohej nga buxheti i Kosovës gjatë 5 viteve të ardhshme nga 40 milion euro në vit.

Përndryshe do të ishte luks i madh dhe i papërballueshëm për buxhetin aktual të Kosovës, duke marrë parasysh këtë zhvillim ekonomik aktual, ku gjatë vitit 2010 planifikohet që Kosova të arkëtojë të hyra vetanake, kryesisht nga doganat, tatimet dhe taksat e ndryshme prej 900 milion euro, maksimalisht do të kishte mundur të arkëtoj edhe rreth 100 milion euro tjera, po të kishte në kontroll dy portat në veri të Kosovës, në Leposaviq dhe Zubin Potok, sipas së cilës vlerësohet se humbjet e gjithmbarshme brenda vitit 2010 mund të shkojnë edhe gjer në 100 milion euro në total nga mos kontrolli dhe kontrabandimi i mallrave, ndërsa gjatë vitit 2010 janë planifikuar shpenzimet (të dalat) prej rreth 1,5 miliard euro.

Në rast se sivjet ky dallim do të mbulohet me pjesën e mbetur të pashpenzuar të buxhetit të vitit të kaluar, dhënies me koncesion të aeroportit të Prishtinës, shitjes së PTK-së, apo edhe të KEK-ut, po, athua se si do të mund të mbulohet ky disproporcion i buxhetit gjatë vitit 2011, kur nuk do të mbetet pothuaj se asgjë më çfarë të shitet apo të epet me koncesion prej projekteve kapitale të Kosovës. E të hyhej në kredi(borxh), gjer në fyt është tepër e rrezikshme dhe e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, pasi që shumë më lehtë është të marrish kredi(borxh), por shumë më e vështirë dhe më dhimbshme është të kthehej kredia (borxhi), edhe atë me kamatë.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe Parlamenti i Kosovës shumë i arsyeshëm në vendimin që do të marrë për autostradën, të cilin pastaj atë vendim që e merr Parlamenti i Kosovës qeveria e Kosovës do të duhet të zbatojë dhe të realizojë atë në praktikë.

Do të përfundojë këtë analizë me thënien e njohur të Faik bej Konicës: ”Ky popull nuk mësohet, nuk kulturohet, nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”.