LAJMI I FUNDIT:

Autostrada, e gjitha përfundon në qershor 2010

Autostrada, e gjitha përfundon në qershor 2010

Përfundimi i pritshëm i punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash është shtyrë për në qershor të vitit 2010, bëhet e ditur nga kompania turke "Enka", e cila është bashkësipërmarrëse me amerikanen "Bechtel" në këtë projekt.

Vitin e kaluar u njoftua se punimet do të zgjasnin deri në pranverën e vitit 2010, ndërsa afati i ri i njoftuar nga "Enka" është qershori i vitit të ardhshëm. Ecuria e punimeve në këtë zonë varet veçanërisht nga kushtet klimaterike gjatë dimrit.

Në tunelin e Thirrës, që është edhe pjesa më e vështirë dhe më komplekse e punimeve, gjatë dimrit temperaturat zbresin nën zero dhe dëbora vijon për shumë muaj. Një nga faktorët e zgjatjes së punimeve vlerësohet se ka qenë edhe nxitimi i qeverisë për ta hapur rrugën për trafik para zgjedhjeve të 28 qershorit. Konsorciumi sipërmarrës "Bechtel-Enka" ka punuar njëzet e katër orë në ditë në të dyja tunelet deri para qershorit, kur hapja e pjesshme e rrugës për trafik i ngadalësoi punimet.

Aktualisht punimet janë përqendruar në tunelin e Thirrës, ndërsa pjesa tjetër e rrugës pothuajse ka përfunduar tërësisht. Edhe 30 urat kanë përfunduar pothuajse tërësisht.