LAJMI I FUNDIT:

Autostrada drejt fillimit, startojnë shpronësimet

Autostrada drejt fillimit, startojnë shpronësimet

Qeveria e Kosovës miratoi të enjten propozimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme në segmentin Vërmicë-Prizren. Nëpër këto prona duhet të kalojë autostrada Vërmicë-Prishtinë...

5 milionë euro do të ndahen këtë vit për shpronësimin e pronave në segmentin Vërmicë-Prizren në të cilat do të ndërtohet autostrada Vërmicë-Merdare. Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se në bazë të analizave të ministrisë së transportit për dy vitet e ardhshme do të ndahen nga 7 milionë euro. Sipas tij tashmë janë kompletuar dokumentacionet e nevojshme për të filluar me shpronësimin.

Kompensimin e pronarëve do ta bëjë Ministria e Ekonomisë dhe Financave në bazë të dokumentacionit përkatës të cilin ia dorëzon Ministria e Transportit.
Ministri i ekonomisë, Ahmet Shala tha se së shpejti do të mbahet një takim me pronarët e tokave të cilëve do t’iu sqarohen procedurat e shpronësimit. Por ka qenë një propozim i ministres së Drejtësisë Nekibe Kelmendi i cili nxiti reagimin e dy ministrave, Limaj dhe Shala.

Ajo tha se pronarët e tokave mund të kompensohen edhe me pasuri të patundshme nga ana e shtetit në mënyrë që të kursehet buxheti. Po ashtu ajo kërkoi që në komisionin për vlerësim të merr pjesë edhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë.


Por ministri Fatmir Limaj tha se është ligji për shpronësim që përcakton se kush duhet të jenë në komisione. Prandaj sipas tij edhe në këtë rast duhet respektuar ligji.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe shlyerjen e detyrimeve të mbetura për kampin e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve në Mitrovicë. Ndërkaq u shty për një mbledhje tjetër shqyrtimi i projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.