LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen 13 persona pas përplasjeve në Orikum

Arrestohen 13 persona pas përplasjeve në Orikum

Policia e Shtetit arrestoi të enjten 13 persona pas përplasjes midis policisë dhe protestuesve nga Orikumi dhe Dukati i Vlorës që kërkojnë kthimin e pronave të tyre.

Policia e Vlorës tha se të arrestuarit janë Azem Vangjeli, Berdo Bedaj, Nuro Kulluari, Eltjon Dervishaliu, Sokrat Gjikoka, Kujtim Berdo, Krenar Kazheli, Musa Xhebraj, Pelivan Ibroj, Denald Hoxha, Edmond Kulluri, Albert Hibroj dhe Jorgaq Kazheli, të cilët kanë kryer veprat penale të "organizimit, grumbullimit dhe manifestimit të paligjshëm", "pengimin e qarkullimit të mjeteve", "kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit publik", "goditjen për shkak të detyrës", dhe prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse".

Policia tha se protestuesit e mbledhur tek vendi i quajtur ura e Izvorit në hyrje të Orikumit në rrugën nacionale Vlorë – Llogara, u përpoqën të bllokojnë rrugën nacionale Vlorë – Llogara, dhe kundërshtuan policinë duke qëlluar me gurë e sende të tjera të forta.

“E gjendur përpara kësaj situate policia ka ndërhyrë forcërisht duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe ka shoqëruar në komisariat 13 personat e mësipërm”, tha policia duke shtuar se policia ka konfiskuar 25 shishe (koktej molotovi) ndërkohë që katër persona të tjerë janë në kërkim.


Policia u kërkoi banorëve t’i zgjidhin problemet e tyre në rrugë ligjore duke u distancuar nga bllokimi i rrugëve apo veprime të tjera të dhunshme. Policia tha se forca e ligjit do të veprojë mbi këdo dhe nuk do të lejohet cenimi i rendit dhe qetësisë publike. /Telegrafi/