LAJMI I FUNDIT:

Arkitektët e Kosovës s’pajtohen se Biblioteka Kombëtare është e shëmtuar

Arkitektët e Kosovës s’pajtohen se Biblioteka Kombëtare është e shëmtuar

Është njëri nga objektet me të cilët mburret Prishtina, por jo vetëm. Për të dytën herë brenda dy vitesh, objekti i mbështjellë me grila e mbi të cilin qëndrojnë kupolat e bardha, është futur në listën e shëmtive arkitektonike botërore, shkruan “Koha Ditore”.

Kësaj here, është futur në listën e hartuar nga gazeta britanike “The Telegraph”, ku zë vendin e tretë në konkurrencë me 21 objekte anekënd botës. Në vitin 2009, BKUK-ja ishte gjendur në vendin e nëntë në klasifikimin e objekteve më të shëmtuara në botë, në listën e hartuar nga përdoruesit e faqes së internetit Virtualtourist.com.

“21 ndërtesat më të shpifura nga dizajni dhe ndërtimi”, është titulli i artikullit të gazetës britanike me listën prej 21 objekteve më të shëmtuara në botë. “The Telegraph” pyet lexuesit nëse këto janë objektet më të shëmtuara teksa i lut ata që të fusin të tjera ndërtesa në listë.


Shpjegimi i vetëm që gjendet poshtë fotografisë së BKUK-së është një informacion se atë e ka projektuar arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq dhe se është hapur në vitin 1982. Në listën e gazetës “The Telegraph” gjenden edhe shumë objekte të tjera.

Por për arkitektët kosovarë objekti i BKUK-së nuk e meriton që të jetë në listën e ndërtesave të shëmtuara në botë.

Arkitekti, Valdet Osmani që është edhe kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, thotë se krejt kjo është çështje shijesh. Sipas tij, në botë, por edhe në Kosovë, ka objekte shumë më të shëmtuara që e meritojnë të jenë në këtë listë. Por ka një arsye edhe për epitetin që jepet BKUK-së nga “Telegraph”.

“Ndoshta arsyeja është se ky është një objekt që nuk është përshtatu me atë ambient dhe duket tërësisht i vetmuar”, ka thënë Osmani.

Vlerësim të përafërt kanë edhe të tjerë kolegë të tij kosovar. Por të gjithë pajtohen në një pikë ku thonë se çfarëdo marketingu është pozitiv.

“Ky marketing i keq për këtë objekt duhet të shfrytëzohet që objekti i BKUK-së të hapet për vizitor edhe të ruhet sa më shumë”, ka thënë arkitekti Osmani.

Lista e publikuar në “The Telegraph” përfshin shumë objekte që, sipas kësaj gazete, ia kalojnë me shëmti BKUK-së.

Lista kryeson me Kullën Velasca në Milano e projektuar nga studioja arkitektonike "BBPR", dhe e ndërtuar më 1950. Në vendin e dytë është hoteli "Ryugyong", piramida 105-katëshe në Pyongyang të Koresë Veriore që ka nisur të ndërtohej në vitin 1987 dhe ende nuk ka përfunduar e që dihet nëse do të hapet ndonjëherë. /Telegrafi/