LAJMI I FUNDIT:

Ardian Gjini: Rasti i Hades është krejtësisht i pastër

Ardian Gjini: Rasti i Hades është krejtësisht i pastër

Përderisa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, akuzon ministrat e qeverive të më hershme se kanë keqpërdorur më shumë se 20 milion euro mjete të ndara për kompensimin e pronave të banorët e fshatit Hade në afërsi mihjeve sipërfaqësore të termocentraleve Kosova A dhe B, ish ministri i Ambientit Ardian Gjini, thotë se akuzat drejtuar ndaj tij nuk janë të vërteta

Gjatë një konference për media, Gjini tha se shuma e ndarë për kompensimin e pronave të këtyre qytetarëve nuk ka qenë 20 milion, por afër 19 milion euro, dhe akuzon qeverinë se në vend që të jep arsyetim për keqpërdorimet e tyre, ata kundërpërgjigjen me sulm.

"Ne e shohim këtë veprim si një tendencë për ta tërhequr vëmendjen e opinionit publik të Kosovës nga problemet serioze të cilat e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe jetën institucionale të Kosovës, siç i kemi emërimet në institucionet tepër të rëndësishme të Kosovës dhe po ashtu për ta tërhequr vëmendjen nga kërkesat e sakta e opozitës për sqarime për shumë afera serioze të cilat po ndodhin në Kosovë gjatë viteve të fundit", theksoi Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi thotë se shuma e saktë shpenzuar për kompensimin e pronave të banorëve të këtij fshati mungon për arsye se qeveria e kaluar nuk ka pasur një raport i cili do të ishte transparentë.


"Duhet të jetë e qartë për të gjithë që kryeministri i Kosovës zoti Thaçi, nuk ka akuzuar por ka kërkuar një raport për shpenzimet e rreth 20 milion eurove për çështjen e zhvendosjes dhe kompensimit të banorëve të Hades. Nuk ka pasur një raport ë tillë nga qeveria e kaluar, nuk e kemi s sot një raport të tillë, krejt kjo duhet shikuar në funksion të kërkimit të transparencës, të llogaridhënies dhe të sundimit të ligjit", tha zëdhënësi Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, kishte kërkuar një raport nga qeveritë e më hershme për shpenzimin e afro 20 milion eurove të cilat ishin përdorur për kompensimin e pronave dhe zhvendosjen e banorëve të fshatit Hade afër mihjes sipërfaqësore të thëngjillit në afërsi të këtij fshati, të cilët rrezikoheshin nga shembja e dheut nga nxjerrja e thëngjillit.