LAJMI I FUNDIT:

ANP: investuam 50 milionë euro në vitet e fundit

ANP: investuam 50 milionë euro në vitet e fundit

Në prag të shpalljes së tenderit për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, menaxhmenti i kompanisë, organizoi një vizitë nëpër pjesë të ndryshme të aeroportit, ku vitet e fundit janë investuar mbi 50 milionë euro, investimit të financuara nga vet kompania.

Investimet kapitale që janë kryer në ANP janë rishtresimi i pistës që ka kushtuar 14 milionë euro, sistemi i ri i ndriçimi në shumën prej 6 milionë eurove, rruga perimetrike dhe rrethoja në shumën prej 1 milion eurove, terminali i ri për persona të rëndësisë së veçantë në vlerë prej 750 mijë eurove, 5 autobusët e rinj specialë për pistë dhe Aeroport në vlerën prej 1.8 milion euro, parku i ri i automjete për pistë dhe punët e tjera të ANP në shumën prej 600 mijë eurove, sortimit i bagazheve, pajisjeve te reja, konvencionale te skanerëve te sigurisë, trakë e re e bagazhit në shumë prej rreth 2 milionë eurosh, karriget për udhëtarë rreth 150 mijë euro, lifti ambulator në shumë prej rreth 200 mijë eurosh etj., dhe dhjetëra e dhjetëra investime të tjera në shuma më të vogla.

Gjithashtu rreth 20 milionë euro ka qenë edhe pagesa për Autoritetin e Aviacionit Civil të Islandës, e cila gjatë disa viteve mbikëqyrje të aeroportit dhe projekteve është paguar rreth 20 milionë euro.

Drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, u tha gazetarëve se këto investime janë realizuar kryesisht nga buxheti i kompanisë dhe janë bërë konform standardeve të kërkuara nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, ICAO.


“Jemi duke vizituar investimet që i kanë kushtuar kompanisë mbi 50 milionë euro dhe janë konform standardeve të kërkuara. Këto investime të cilat bënë që aeroporti të pajiset me çertifikatë për plotësimin e standardeve nga ana e Aviacionit Civil të Islandës ia kanë rritur së tepërmi vlerën kompanisë në prag të dhënies me koncesion. Por më duhet të theksoj se atraksioni më i madh i aeroportit tonë është fakti se numri i udhëtarëve dhe i fluturimeve, të cilat kanë ndikuar automatikisht në rritjen e të hyrave, është në rritje të vazhdueshme dhe kjo përbën në esencë shtimin më të madh të vlerës së këtij aeroporti përballë investitorëve të mundshëm”, tha drejtori Mustafa.

Sipas tij, Aeroporti si asnjëherë më parë nuk ka qenë në situatë më të mirë dhe stabile, ku demonstron një stabilitet të lartë financiar.

“Konsideroj që tani është momenti më i përshtatshëm për realizimin e planeve tashmë të bëra publike mbi Partneritetin Publiko Privat për Aeroportin nga Qeveria e Kosovës”, tha ndër tjera Mustafa.

Sipas statistikave të fundit, ANP vetëm gjatë muajit korrik ka pasur 11 mijë udhëtarë më shumë se në korrikun e vitit të kaluar, ndërkohë që fluturimet janë më të larta në shifrën prej 17 përqind. Po ashtu edhe të hyrat janë më të larta për 12 përqind në krahasim me korrikun e kaluar.

Në korrik të vitit të kaluar nëpër ANP kaluan 140 mijë udhëtarë ndërsa në korrik 2009, mbi 151 mijë udhëtarë.Vlen të theksohet se edhe shifrat e 6 mujorit nxorën kompaninë me një fitime neto prej 4.1 milionë euro, rritje prej 5 përqind të numrit të udhëtarëve në krahasime me 6 mujorin e parë të vitit 2008 dhe 17 përqind më shumë fluturime se në të njëjtin periudhë, 2008.

“Është e vërtetë. Këtij aeroporti tani i mungon vetëm ndërtimi i një terminali të ri”, tha drejtori Mustafa, në përgjigje të pyetjes se a është vetëm një terminali i ri që i mungon ANP-së. /Telegrafi/