LAJMI I FUNDIT:

Amerikanët interesohen për projektet në Prishtinë

Amerikanët interesohen për projektet në Prishtinë

Përfaqësuesit e Korporatës për investimeve private jashtë shtetit (OPIC) nga Amerika gjatë një takimi me nënkryetarin e komunës, Avdullah Hoti janë shprehur të gatshëm për të investuar në projektet kapitale në Prishtinë, sipas formës së partneritetit publiko privat (PPP).

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Avdullah Hoti, i ka njoftuar përfaqësuesit e kësaj korporate, se komuna ka realizuar projekte me partneritet publiko privat, siç është ndërtimi i fshatit ndërkombëtar, e po ashtu ka në planë për të realizuar e dhe projekte të tjera përmes kësaj forme.

“Ne kemi disa projekte që presim t’i realizojmë, dhe gjithashtu jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara”, tha Hoti. Si mundësi e mirë për realizim, sipas tij janë projektet për ndërtimin e garazheve nëntokësore, të cilat pritet të realizohen nëpërmjet PPP-së.

Stephanie Price, ekonomiste ndërkombëtare pranë OPIC-ut tha se janë të interesuar për investime në të gjithë sektorët në vendet në tranzicion.


“OPIC-ku ndihmon sektorin privat të SHBA-së të investojë jashtë shtetit, nxitë zhvillimin ekonomik dhe tregjet e reja, dhe për këtë jemi të interesuar të bashkëpunojmë me komunën e Prishtinës në realizimin e projekteve kapitale përmes ligjit për partneritet publiko privat”, tha Price. /Telegrafi/