LAJMI I FUNDIT:

Amendamentet janë përkthyer, diskutimi për Ligjin e gjuhëve akoma i paqartë

Amendamentet janë përkthyer, diskutimi për Ligjin e gjuhëve akoma i paqartë

Kuvendi i ka përkthyer mbi 35 mijë amendamentet e OBRM-PDUKM-së për Ligjin e gjuhëve, ndërsa akoma nuk dihet kur do të diskutohet për të njëjtët.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, thonë se tashmë në përgatitje e sipër janë procedurat tjera që këto amendamente të hyjnë në shqyrtim, përcjell Telegrafi Maqedoni.


“Pjesa e përkthimit tashmë është gati ndërsa Kuvendi po punon për përfundimin edhe të procedurave të tjera, që diskutimi për këtë Ligj të filloj sa më shpejtë në lexim të tretë në seancë plenare”, thonë nga kabineti i Xhaferit.

Ata më tej shtojnë se në momentin kur të gjitha procedurat do të jenë gati, atëherë kryetari Talat Xhaferi do ta caktojë seancën plenare në të cilën është në rend dite Ligji i gjuhëve, ndërsa opinioni dhe mediat do të informohen përmes web faqes së Kuvendit.

Burime nga Kuvendi, sot po ashtu informuan se vështirë që gjatë kësaj jave do të mund të caktohet seancë plenare, për shkak se një numër i madh i deputetëve do të mungojnë në aktivitetet në Kuvend, pasi do të jenë jashtë vendit si pjesë e delegacioneve të Kuvendit.

OBRM-PDUKM-ja prej gjithsej 35.569 amendamenteve, numrin më të madh e ka dorëzuar për nenin 22 të Ligjit për gjuhët, i cili flet për dënimet dhe këtu janë shfrytëzuar shifrat e dënimeve për rritjen e numrit të amendamenteve. Ndërsa 33 amendamente, opozita maqerdonase i ka dorëzuar vetëm për titullin, për nenin 9 të ligjit 222 amendamente./Telegrafi/