LAJMI I FUNDIT:

Alfred Trebicka: Ministrja Kumbaro instaloi frikën për “bukën e gojës”

Alfred Trebicka: Ministrja Kumbaro instaloi frikën për “bukën e gojës”

Një ndër aktorët që vazhdon të kundërshtojë prishjes e objektit të Teatrit Kombëtar, është aktori dhe profesori i Aktrimit, Alfred Trebicka. Ai shpjegon situatën aktuale, por edhe parashikimin e tij të dhimbshëm për të ardhmen e Teatrit Kombëtar.

“Përgjigjet janë spostimet. Nga Ministria spostohet vendimi te Kryeministria, nga Kryeministria te bashkia. Një lojë e kotë, manovra”, thotë ai. “Përderisa, siç kemi dëgjuar, Teatri do shkojë te ‘Turbina’, pas atij transferimi do të ketë edhe hapa më konkretë, që do të thyejnë heshtjen aktuale. Që do shkojnë atje, e dinë ata që e kanë pranuar këtë. Ai kontingjent i atyre njerëzve që e quajnë veten aktorë. Unë nuk e kuptoj si mund të jetë aktor një qënie që ka frikë nga rrobat që vesh, ndërkohë që ne që merremi me këtë punë, aktorët e gjithë botës, kudo e në çdo regjim, kanë qenë njerëzit më të lirë të shoqërisë”!


Sipas tij, Teatri Kombëtar nuk është godina, janë njerëzit që e bëjnë atë.

“Teatri kombëtar ka pasur qindra aktorë, por jo të gjithë kanë lënë gjurmë, sigurisht që gjithsecili ka pjesën e tij, por nuk janë njësoj. Pra, edhe kontingjenti që është afruar me format kontraktuese gjashtëmujore të sistemit të dyshimtë, që e fabrikon kontingjentin me indiferencë e rehati, të çon në degradim”, shton Trebicka.

Aktori i njohur shton se degradimi i strukturës institucionale vjen edhe nga mënyra si ndërtohet programi, repertori, njerëzit që afrohen.

“Treçereku i njerëzve aty janë anonimë, vetëm për të bërë qokat e drejtorit që ai të krijojë elektoratin e tij. Ai është kthyer tashmë në një institucion, ku punojnë ca njerëz që marrin një rrogë dhe janë të kënaqur me ato buxhete projektesh”, shprehet ai.

“Problem kryesor këtu është instalimi i filozofisë së frikës, një filozofi militantiste. Me instalimin e kësaj filozofie, të pretendosh të shkosh në Evropë, është paradoks i madh… Thelbi i këtij kontingjenti është vetëm frika se do na heqin nga puna. Kjo gjë u instalua që në start, që në takimet e para që bëmë me ministren. Aty, për herë të parë, u lakua togfjalëshi ‘buka e gojës’. Ne po shkuam si aktorë, si regjisorë, si njerëz të artit, të shkojmë te mendësia e bukës së gojës, është e kotë që e vijojmë këtë debat”. /Panorama/