LAJMI I FUNDIT:

AKK, falsifikatorët po fitojnë tenderë

AKK, falsifikatorët po fitojnë tenderë

Agjencia Kosovare Kundër-Korrupsionit gjatë hetimeve të ndërmarra për rastet e dyshuara si veprime korruptive, ka hasur në dukurinë e falsifikimit të dokumentacionit nga disa operator ekonomik gjatë pjesëmarrjes në procedurat e tenderimit dhe si rrjedhojë në shumë raste, këta ofertues kanë arritur të jenë fitues të disa tenderëve.

Agjencia ka siguruar prova të mjaftueshme për argumentimin e këtyre rasteve dhe informatat e tilla janë përcjellë në prokuroritë kompetente për procedim penal të mëtutjeshëm.

"Duke pasur parasysh se rastet e tilla po marrin përmasat e dukurisë shqetësuese, AKK u bënë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe ato lokale që të demonstrojnë vigjilencë gjatë procesit të selektimit të ofertuesve ekonomike në raport me përgjegjshmërinë e tyre dhe verifikimin e origjinalitetit dhe validitetit të dokumentacionit me të cilët marrin pjesë në procedurat e tenderimit", thuhet në komunikatën e AKK.

AKK, tërheq vërejtjen se veprimet e tilla ngufasin rënd konkurrencën e lirë dhe të ndershme që është element kyç i kultivimit të transparencës dhe po ashtu i shkaktojnë dëme të ndjeshme Buxhetit të Kosovës dhe ndikojnë në dobësimin e besueshmërisë së institucioneve përballë taksapaguesve. /Telegrafi/