LAJMI I FUNDIT:

Akademik Zeqirja Ballata: Intelektualit s’i rri mirë heshtja!

Akademik Zeqirja Ballata: Intelektualit s’i rri mirë heshtja!

Profesori dhe Akademiku Zeqirja Ballata ka mbi dyzet vjet qe është aktiv në skenën dhe jetën tonë muzikore. Ai, shquhet si kompozitor i muzikës bashkëkohore dhe të veçantë

I dalë nga një familje muzikantësh, babë e gjysh ishin artistë të kohës, të Gjakovës, edhe Zeqirja Ballata u nis drejt kësaj hullie, ku arriti të krijoj mbi 150 vepra muzikore, të cilat u vlerësuan mjaft lartë!


Bisedoi: Shaqir Foniqi

Veprat e tij janë shfaqur, pothuajse në tërë botën dhe janë cilësuar si arritje dhe kontribut dhënë jetës muzikore në përgjithësi.

Po si ishte rrugëtimi i Ballatës deri këtu, ndiqni intervistën ekskluzive për Telegrafin.

Akademik Ballata, ju qysh herët jeni përcaktuar për muzikën dhe i jeni përkushtuar me tërë qenien, por as rezultatet nuk kanë munguar?

Fillimisht iu falënderoj për interesimin dhe hapësirën për këtë intervistë për portalin e dëgjuar Telegrafi. Që të jam i sinqertë nuk është se me pëlqen shumë ekspozimi, sepse konsideroj se puna flet vet, por duke vlerësuar interesimin tuaj dhe portalin në fjalë, po përgjigjem me kënaqësi.

Shkollën e mesme të muzikës e kam mbaruar në Prizren, kurse studimet a larta në Lubjanë e Maribor, por kam patur edhe disa specializime në Itali.

Që të merrem me muzikën, jam inspiruar nga gjyshi dhe babai, të cilët ishin këngëtar të kohës. Madje, thonë se kur këndonte gjyshi Selimi, tregtarët e Gjakovës i mbyllin dyqanet për ta dëgjuar dhe nderuar. Poashtu, ka kënduar edhe babai im. Pra, është një vazhdimësi, ose traditë familjare.

Dhe ju u përcaktuat për kompozimin?

Po, kompozimin e kam mbaruar në Lubjanë, sikurse edhe specializimin te dy akademikë të njohur. Në Lubjanë muzika ka traditë të madhe dhe kritere të forta. Merreni me mend, në tërë Lubjanën ka vetëm dy Akademi dhe 80 shkolla të muzikës, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një popull të civilizuar dhe me arsimim shumë cilësor. Atje, as që i shkon ndërmend dikujt të marrë notën pa dije, por as që ndodh kjo. Janë popull i vetëdijesuar dhe kjo është dëshmuar!

Ju, përveç studimeve, atje edhe keni dhënë mësim?

Po, krahas studimeve, jepja mësim në një shkollë të muzikës, kurse edhe pas luftës kam punuar disa vjet në Maribor. Atje kam punuar shumë, sepse në Slloveni puna është kult.

Pastaj jeni kthyer në Kosovë?

Pas mbarimit të Akademisë atje, jam kthyer në Prishtinë, ku fillimisht kam punuar në SHLP, kurse më vonë, bashkë me Engjëll Berishën mund të them se jemi themelues të Akademisë së muzikës, dega e dirigjimit.

Jam edhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në çfarë niveli është kompozimi tek ne?

Nuk është se nuk kemi talentë, por rrethanat kanë bërë që shumica e talentëve të shuhen, ose të mbesin pa punë.

Ka lëshuar rrënjë injoranca, nepotizmi, kurse edhe diplomat tash merren fare lehtë e kjo nuk na bën nder. Intelektualit nuk i rri bukur heshtja. Ai, duhet të ngris zërin kundër devalvimit të skajshëm të vlerave. Ju po e shihni se në çfarë niveli e kemi arsimin, se si trajtohen intelektualët. Fitohet përshtypja se gjithçka bën punë, vetëm dija s’i duhet askujt. Njerëzit marrin poste të pamerituara, kurse intelektualët mbesin të margjinalizuar. Kjo, për të ardhmen e kombit është fatale. Kuadrot po na ikin dhe kjo është tragjedi për kombin.

Megjithatë, ju nuk jeni për ikjen e trurit?

Assesi, madje e quaj të pajustifikueshme, sepse vlerat herët a vonë depërtojnë, anipse njerëzit i rrëmben mërzia kur shohin kaq pabarazi politike dhe sociale, por duhet punuar dhe gjërat duhet ndryshuar. Sepse, nëse nuk e ke mirë në vendin tënd, si mund ta kesh mirë në vendin e huaj!

Ju profesor jeni edhe autor i disa shkrimeve shkencore, recensuarave muzikore, por edhe i teksteve universitare?

Sigurisht, kam shumë shkrime, por edhe librat ‘Veglat muzikore’ dhe i librit me vlerësime muzikore!

Profesioni i kompozitorit është specifik dhe deficitar. Si qëndron puna tek ne, kemi apo nuk kemi kompozitorë të mjaftueshëm?

Kosova është dëshmuar përherë se është vatër e talentëve dhe talenteve nga të gjitha fushat e krijimtarisë artistike. Nisur nga kjo, edhe përsa i përket kompozitorëve, nuk ka qëndruar keq. Të përmend me këtë rast Lorenc Antoni, i cili ishte nder të parët, pastaj Reshat Randobrava, Musa Piperku, Akil Koci, Rauf Dhomi e shumë të tjerë, të cilët kanë krijuar vepra kulminante.

Kjo traditë vazhdon,meqë në kuadër të Akademisë së Arteve ekziston edhe drejtimi i kompozimit, por rrethanat po bëjnë që edhe ata të ndajnë fatin e shumë krijuesve. Kompozitorët, kryesisht angazhohen prej rasti në rast, pra ndodh që ata të krijojnë vepra muzikore,por është tjetër se si do të vlerësohen ato dhe a do të interpretohen diku. Po vërej se, për fat të keq edhe kompozitorët kanë filluar të mbesin të paangazhuar sa duhet, ose janë në pritje. Kjo krijon demoralizim tek ta dhe kjo nuk është e shëndoshë për krijuesin!

Kompozitorët duhet të vlerësohen, sepse mbajnë gjallë shpirtin krijues dhe kulturën e një kombi. Ju dini çfarë respekti gëzojnë sot e tërë kohën Bethoveni, Mocarti, Tish Daija, Femi Ibrahimi e shumë të tjerë, sepse pa ta, bota do të ishte një skëterrë/e mjerë/!

A ka xhelozi ndërmjet kompozitorëve?

Si jo, si çdo kund tjetër. Bile, tash që nga Kosova KamerFest, mu nda çmimi për vepër muzikore falë Sihana Badivukut, në ceremoni, mëse paku kishte njerëz të muzikës!

Unë e kuptoj xhelozinë profesionale, por jo edhe fanatizmin. Në shkencë dhe kudo tjetër ka vend për të gjithë. Xhelozia dhe nenezia nuk na dërgojnë askund, vetëm na bëjnë dëm. Unë, i gëzohem p.sh., sukseseve të Bashkim Shehut, Mendi Menxhiqit e të tjerëve, sepse janë edhe suksese tonat.

Ju keni qenë edhe kryetar i Shoqatës së kompozitorëve të Kosovës?

Është e vërtet dhe dikur kishim 42 kompozitor, kurse tashti ky numër ka rënë, por me zgjedhjen e Kryesisë së re dhe të kryetarit Akademik Rauf Dhomi, shpresoj se Shoqata do të marrë hov të ri dhe sukseset nuk do të mungojnë.

Ndonëse kombi shqiptar është relativisht i vogël, megjithatë i ka dhënë shumë kulturës evropiane dhe botërore. A po investohet sa duhet në art, kulturë e shkencë?

Unë konsideroj se, sadoqë investohet në kulturë, prapë se prapë nuk është mjaft. Sepse, nuk thuhet kot, popujt zhdukën për shkak të kulturave e jo për shkak të politikave. Politikanët shkojnë e vijnë, kurse kultura është palca e një kombi dhe kurrizi që e mban vertikalisht. Prandaj, nuk është e rastit që armiqtë, së pari e sulmojnë kulturën e kundërshtarit. Nëse mosdia shpërfill kulturën e një kombi, ai është i vdekur për së gjalli. Investimi në kulturë, është investim në të ardhmen e sigurt, sepse nuk thuhet kot, kultura i paraprinë vetëdijesimit dhe një komb e bën vital e të respektueshëm.

Ndërsa, fatkeqësisht të ne, ende kultura konsiderohet si barrë e rëndë për shoqërinë…

Një popull i kulturuar, i arsimuar dhe i civilizuar, ai, pastaj nuk është i prirur për të bërë gjëra të këqija. Historia ka treguar se, sa më i ngritur që është një popull, ai është më atdhetar. Dija është forcë, është fuqi.

Ne jemi popull evropian dhe ashtu duhet të sillemi. Kombi ynë i ka dhënë shumë kulturës evropiane. Të përmend vetëm Aleksandër Moisiun, Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë. Bota të vlerëson sipas veprave dhe vlerave, e jo sipas fjalëve.

A iu ka trashëguar dikush nga familja juaj?

Posi. Djali është në Filarmoninë e Kosovës, kurse edhe vajza është muzikante e dalluar!

Çka keni nëpër duar, aktualisht?

Sapo mbajta një kumtesë shkencore, ‘Skënderbeu në veprat muzikore’, kurse po merrem edhe me poemën për Skënderbeun, ku synoj ta shndërroj në poemë vokalo-instrumentale. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

Siguri
Kalo në kategori