LAJMI I FUNDIT:

AJO

AJO

Anila Erindi

Kënga “Ajo” e shkruar nga Charles Aznavour dhe Herbert Kretzmer u publikua si këngë e vetme në vitin 1974. Kjo këngë e shkruar për serialin televiziv britanik ‘’Shtatë fytyrat e gruas’, është regjistruar gjithashtu në frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht respektivisht nën titujt, në frëngjisht “Tous les visages de l’amour” (Të gjitha fytyrat e dashurisë); në gjermanisht “Sie” (Ajo) ; në italisht “Lei” (Ajo); në spanjisht “Es” (Ajo).


Charles Aznavour e incizoi këngën gjithashtu në një version më të mirë në gjuhën frënge me tekst të përpunuar, titulluar thjeshtë “Elle” (Ajo). Kënga arriti pikën kulminante dhe ishte vendin e pare në top-listën e Britanisë së Madhe, ku qëndroi në vend të parë për katër javë radhazi dhe ju dha çmimi i argjendtë për shitjet që tejkaluan vlerën mbi 250 mijë. Kjo këngë arriti gjithashtu numrin e pare në top-listën irlandeze duke qëndruar në vend të parë për një javë.

Kënga ishte më pak e njohur jashtë Britanisë së Madhe (në ato vende ku seriali ‘’Shtatë fytyrat e gruas nuk u shfaq); në Francë kënga e humbi listën e 40 këngëve të para; gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, ajo nuk mundi të arrinte në listën ‘’Billboard Hot 100’’ ku renditej në fund të listës së këngëve më të dëgjuara.

Elvis Costello regjistroi një version tjetër të këngës në vitin 1999. Ky version i prodhuar nga Trevor Jones, u shfaq në sekuencën përfundimtare të filmit “Notting Hill” duke u certifikuar dhe bërë njohur kështu në gjithë Evropën. Ky version i këngës qëndroi në vendin e 19-të të të top-listës britanike, duke e renditur Elvis Costello në njëzetëshen e parë të Britanisë së Madhe për 16 vjet.

Këngëtarja italiane Laura Pausini publikoi gjithashtu një kopje të këngës në italisht me titull “Uguale a lei” (E ngjashme me të – Ajo). Kënga u regjistrua për kanalin ‘’Barilla TV’’. Teksti i këngës u përshtat nga vetë Laura Pausini dhe për këtë arsye janë dy tekste të ndryshme. Teksti i versionit të gjuhës italiane nga Aznavour, hiti i tij i famshëm. Ai u publikua si një këngë e vetme digjitale më 8 mars 2006, e cila nuk u paraqit në asnjë prej albumeve të regjistruara në studio nga Pausini. Megjithatë, ajo regjistroi një version të ri të këngës duke e përfshirë në albumin e 20 Këngëve më të mira.

Kënga “Ajo” është kënduar në vitin 2007 edhe nga Paulo Gonzo nga albumi “Ao Vivo No Coliseu”. Ky version është një nga më të preferuarat e mia dhe gjithashtu arsyeja që e përktheva për lexuesin:

”AJO”

Ajo mund të jetë fytyra që s’mund ta harroj,
Ajo mund të jetë gjurma e kënaqësisë apo e keqardhjes,
Ajo mund të jetë thesari më i çmuar
Apo çmimi që unë duhet të paguaj.

Ajo mund të jetë kënga, që këndohet në verë,
Ajo mund të jetë ethja që vjeshta sjell,
Ajo mund të jetë njëqind gjëra të ndryshme
Në brendësinë e një ditë.

Ajo mund të jetë e bukura ose bisha,
Ajo mund të jetë e pangopura e festës,
Ajo mund të kthejë çdo ditë
Në Parajsë apo në Ferr.

Ajo mund të jetë pasqyra e ëndrrave të mia,
Ajo mund të jetë një buzëqeshje e pasqyruar në lumë,
Ajo mund të jetë krejt ndryshe nga sa duket
Në brendësi të guackës së saj.

Ajo që duket gjithmonë aq e gëzuar në mes të turmës,
Sytë e saj mund të jenë aq te padepërtueshëm sa edhe krenarë,
Dhe askush nuk lejohet t’i shohë
Kur ata qajnë.

Ajo mund të jetë dashuria e pashpresë të zgjasë,
Ajo mund të vijë tek unë si një hije e të shkuarës,
Dhe do ta kujtoj deri sa të vdes.

Ajo mund të jetë arsyeja që unë mbijetoj,
Është pse-ja dhe shkaku që unë jam gjallë,
Dhe unë do të kujdesem për të ndër vite
Në vështirësi dhe në ditë me shi.

Unë, do të mbledh buzëqeshjen dhe lotët e saj,
Dhe do ti bëj të gjitha kujtime të miat,
Dhe kudo që ajo do të jetë, do të jem unë.
Ajo është kuptimi i jetës time, ajo, ajo, ajo…