LAJMI I FUNDIT:

Agolli: Niko Nikolla, nga jeta si partizan te letërsia

Agolli: Niko Nikolla, nga jeta si partizan te letërsia

Duke lexuar librin me tregime dhe novela "Homo Balcanisus" të Niko Nikollës, m'u kujtua pakëz si nëpër mjegull, një thënie e Nikos Kazanzaqisit, shkrimtarit të mrekullueshëm grek aq të shumënjohur në vendin tonë. Ngaqë nuk desha të hidhja këtë thënie në letër në mënyrë të mjegullt, e kërkova në faqet e para të romanit të tij "Letër El grekos" dhe po e jap të përpiktë.

Greku i madh thotë: "Gjithmonë, gjatë gjithë jetës sime, një fjalë më ka tiranizuar e fshikulluar: fjala ngjitje. Këtë ngjitje unë dëshiroj ta përshkruaj këtu, duke e gërshetuar fantazinë me realitetin, gjithashtu të tregoj edhe gjurmët e kuqe që ka lënë ngjitja ime".

Këtu nuk e kam fjalën te ndonjë krahasim në fushën e letërsisë mes shkrimtarësh. Thënien e Kazanzaqisit e marr vetëm si një mendim filozofik: të gjithëve na tiranizon "fjala ngjitje". Ç’është kjo ngjitje për Niko Nikollën? Që i vogël pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në një brigadë partizane andej nga malet e Gorës, gazetar për dyzet vjet me radhë, duke i rënë Shqipërisë kryq e tërthor, publicist e shkrimtar me një vrojtim të mprehtë të dukurive të jetës, – e gjithë kjo maratonë a s’është një ngjitje?


Gjurmët e kësaj maratone të gjatë do t’i gjejmë në qindra artikuj, reportazhe, fejtone, shënime e lajme nëpër faqet e gazetave dhe revistave, ku autori shpreh entuziazmin e tij për gjërat e mira dhe keqardhjen për punët e këqija pa asnjë keqdashje apo skepticizëm. Ai nuk ka patur frikë të thotë të vërtetën përmes shkrimeve kritike veçanërisht në kohën kur drejtonte revistën e famshme "Hosteni", tërësisht fshikulluese ndaj dukurive të shëmtuara të jetës së shoqërisë. Në atë kohë drejtuesit e rretheve kur merrnin vesh se po vinte Niko Nikolla, thoshin: "Po vërtitet një re e zezë". Kjo shprehte frikën ndaj vërejtjeve që mund të bënte ky njeri zemërgjerë. Madje edhe fjalët "vërtitet një re e zezë" thuheshin përmes një buzëqeshje të përzierë pakëz me frikë dhe jo me trembjen e vërtetë.

Një pjesë të këtyre shkrimeve të jetës në gazetë ai i ka përmbledhur në librat "Shënime të një gazetari", "Qyteti i Alpeve", "Furtuna e janarit", "I dashur mik" e me radhë. Por unë në këto shënime të shkurtra e kam të vështirë të flas më gjatë për krijimtarinë publicistike të Niko Nikollës, që padyshim jo vetëm zë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e tij, por edhe ka vlera të veçanta njohëse dhe stili në fushën e gazetarisë, siç janë mjeshtëria e zbulimit të faktit dhe arsyetimi rreth tij, konçiziteti i frazës dhe humori pa doza helmi. Kështu që, synimi i këtyre pak shënimeve të mia është të them dy-tri fjalë për një "ngjitje" tjetër të autorit, për ngjitjen në shkallët e letërsisë, që më jep shkas libri i tij konkludiv "Homo Balcanicus".

Po ç’është ky libër me këtë emër të çuditshëm "Homo Balcanicus", emër që të ngjall tok me ndjenjën e vëllazërisë të përbashkët mes njerëzve të Ballkanit, edhe atë të humorit dhe të buzëqeshjes: e, po të njëllojtë jemi, ballkanas! Vërtet, filli i homo balcanicus-it i përshkon gati të gjitha ngjarjet që zhvillohen në tregimet dhe novelat e librit: edhe në një rrugë a klub të Tiranës, edhe në një mejhane a bahçe të Stambollit, edhe në një kafe a hotel të Athinës, edhe në një kuvend në Gabrovë të Bullgarisë. Gjuhët janë të ndryshme, po homo balcanicus-i është pothuajse i njëllojtë: i vuajtur, tragjik, inatçi, qejfli, i zgjuar, trim, shakator, shoqërues e me radhë. Kanë fate të përbashkëta brenda një historie të përbashkët. Kjo e bën autorin të thotë në tregimin "Ad aquas Herculi sacras": "Në Ballkan mos pyet shumë, se del kushëri edhe me gruan tënde".

Ndjenja e vëllazërisë përmes humorit të brendshëm është në të gjitha tregimet me temë të drejtpërdrejtë ballkanike si "Ditë behari në stepat e Anadollit", "Natë e turbulluar në malet Ballkan", "Turkesha në gur", "Si e pashë Shqipërinë në Greqi", "Një dolli për shëndetin e Skënderbeut", "Hamam?", "Koktej me konsujt e shteteve ballkanike" e të tjerë. Këto tregime e novela për mbajtjen e tyre e zbulojnë shkallë-shkallë përmes udhëtimit të personazhit që rrëfen në vetën e parë, si një udhëtar. Udhëtari tregon për vendet dhe për njerëzit dhe duke qenë gazetar apo shkrimtar, ai skalit karaktere dhe jep njohuri për historinë dhe kulturën. Dhe autori është vërtet për t’u admiruar për njohuritë e gjera gjeografike, historike dhe kulturore, të cilat i përcjell përmes tregimeve herë artistikisht e herë publicistikisht, siç thotë Kazanzaqisi ecet "duke gërshetuar fantazinë me realitetin".

I dhënë pas temës së homo balcanicus-it, Niko Nikolla, edhe kur personazhin e shpie në ndonjë vend të Evropës, zbulon situata që lidhen me Ballkanin. Kështu, te novela apo reportazhi artistik "Koloneli me një sy", heroi që tregon në vetën e parë takon një personazh në një hotel të një qyteti gjerman, personazh që paska luftuar në Kretë të Greqisë dhe në luftë paska lënë një sy. Ky pastaj nga Kreta më 1943 paska qenë edhe në Pogradec. Autori duke e takuar në hotel kujton luftën kundër nazistëve në Kretë dhe në Pogradec. Kolonelin me një sy autori e jep me vija groteske, por aspak karikaturë qesharake.
Me temën e Ballkanit përcillen edhe fate tragjike të njerëzve të thjeshtë si ai i arnaut Demirit në novelën e përkryer "Turkesha në gur". Heroi i novelës, oparaku Andon Dushari, mori nofkën arnaut Demiri ndërsa punonte si kalldrëmshtrues te një pasanik në Stamboll. E bija e pasanikut, Muazezi, ra në dashuri. Oparak arnaut Demiri ia gdhendi asaj fytyrën në gur. Pas shumë peripecish turkesha donte të martohej, por ai i sëmurë u kthye në Opar për të vdekur. Kjo është fabula. Përmes saj autori shpreh mjeshtërisht idenë se kur njeriut të ndershëm fillon t’i buzëqeshë fati, papritur i vjen fatkeqësia dhe shkon ta zbusë atë në vendlindje, duke u mbuluar me dhé.

Të dalim pak nga tema e Ballkanit dhe le të vijmë tek ajo e halleve tona, që nuk shkëputet prerazi nga tema qendrore e librit. E kam fjalën për temën e tregimeve që rrëfejnë për jetën e endacakëve në rrugët e në kafet e thjeshta gjysmë të errëta. Në këtë kategori tregimesh përzihet humori me tragjiken. Përkëdhelja me shpirtgjerësi e personazhit, si të thuash, ia zbut atij ashpërsinë e jetës dhe mërzinë e shpirtit. Prandaj nën penën e autorit, në vend të satirës, ndrit një buzëqeshje. Kësisoj nën satirikun dremit romantiku, siç thonë diku një kritik për një shkrimtar të njohur, thënie që i shkon edhe Niko Nikollës. Kështu, duke pasqyruar jetën e sotme, në disa tregime duket sikur i vetmi truall pjellor është ai i klubeve dhe kafeneve. Tipik për jetën e endacakëve është tregimi "Lypësi pranë heroit", ku personazhi kryesor nuk i shpie gruas pulë për Vitin e Ri, por një fëmijë të shpëtuar nga grindja e prindërve. Tregimi shquhet nga një dinamikë e fortë rrëfimi dhe nga një frymë e vërtetë njerëzore.

Libri i Niko Nikollës "Homo Balcanicus" është i gjerë, i larmishëm dhe plot variacion. Atje do të gjesh jetë endacakësh dhe heronjsh, jetë udhëtarësh dhe aventurierësh, jetë trimash legjendarë dhe personazhesh legjendë, si në novelat "Karaktere mokrarësh" apo "Vlora, Vlora!" Në to zien historia dhe afirmohet qëndresa dhe identiteti ynë. Faqe pas faqe, me një stil dinamik pa ujë frazist e kozmetikë fraze, shprehet dashuria dhe dhimbja për njerëzit dhe për vendin. Të rrëqeth tregimi "Shtegu i të gjallëve dhe i të vdekurve", ku përshkruhet braktisja, po edhe qëndresa dhe shpresa:

"Atje, në krye të fshatit, pranë varrezave ishte dhe shtegu për të dalë nga fshati. Aty fshatarët përcillnin të vdekurit dhe të gjallët. Të dy palët zhdukeshin. Shumë herë edhe varrimi ishte një ngushëllim më i madh për njerëzit e atij fshati, sepse jo pak, edhe nga ata që iknin, merrnin rrugën e kurbetit, zhdukeshin pa gjurmë e pa mandat. Zhdukeshin si ujërat e përrenjve, por edhe shpresë e pleqve, e nuseve, e fëmijëve, mbeteshin si ujërat e përrenjve që rridhnin vazhdimisht. Nuset e mbyllnin pajën e tyre nëpër sëndyqe me shpresë se do të vishnin një ditë një fustan e një këmishë kur t’u vinte burri. Po ai nuk vinte. Ai jetonte në kujtesë si një brengë, derisa edhe ata që e kishin përcjellë i përcillnin të tjerët në varreza. Fëmijët, kur bëheshin burra, thoshin jo rrallë: "Nuk e mbaj mend babanë, sepse sapo kisha lindur". Dhe autori pastaj pohon:
"E megjithatë, fshati jetonte".

Këto shënime unë nuk mund t’i mbyll më mirë se me fjalët e Nikos Kazanzaqisit, që përmenda në fillim:
"Gjithmonë, gjatë gjithë jetës sime, një fjalë më ka tiranizuar e fshikulluar: fjala ngjitje. Këtë ngjitje unë dëshiroj ta përshkruaj këtu, duke e gërshetuar fantazinë me realitetin, gjithashtu të tregoj edhe gjurmët e kuqe që ka lënë ngjitja ime".
* Parathënia e librit

/GSH/BW/

Në trend Kultura

Më shumë
Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Kulture
O GRUA

O GRUA

Poezi
Izraeli po bie në humnerë

Izraeli po bie në humnerë

Kulture
KOSITËSI

KOSITËSI

Poezi
PËR VETVETEN

PËR VETVETEN

Fjala+
OPORTUNIZMI

OPORTUNIZMI

Poezi
Kalo në kategori