LAJMI I FUNDIT:

Agjenda e Parlamentit, miratimi i ligjeve dhe reformave

Agjenda e Parlamentit, miratimi i ligjeve dhe reformave

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli tha të mërkurën se heqja e vizave për qytetarët e vendit ishte prioriteti i punës së Kuvendit dhe i saj personalisht.

“Pavarësisht nga sfidat që ka pasur Kuvendi dhe nga vështirësitë e krijuara nga bojkoti, me durim dhe vullnet të palëkundur bashkë me shumicën e deputetëve, është arritur që gjatë një viti të miratohen 300 ligje, vendime dhe rezoluta, të cilat kanë bërë të mundur që 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të vendosin në mënyrë unanime, heqjen e vizave për shqiptarët", tha Topalli.

Zonja Topalli e cila i bëri komentet pas takimin me Drejtorin për Zgjerim për Ballkanin Perëndimor në KE Pierre Mirel, tha se agjenda e Kuvendit do jetë konsolidimi i arritjeve dhe miratimi i ligjeve e reformave të tjera të nevojshme për vendin.

Mirel konsideroi sukses miratimin e ligjeve ‘Për konfiskimin e aseteve të grupeve kriminale” apo ligjin “Antimafia”, ligjin “Kundër diskriminimit”, dhe në tërësi kuadrin ligjor të miratuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Telegrafi/