LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti ndikon që British Airwyas të ulë çmimet 15 përqind

Aeroporti ndikon që British Airwyas të ulë çmimet 15 përqind

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për herë të parë në historinë e vet ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për uljen e çmimit të biletave, përmes aplikimit të Programit Nxitës dhe Stimulues për Kompanitë Ajrore. Çmimet e biletave të “British Airways”, si rjedhojë e aplikimit të këtij programi u ulën nga 25 e deri në 120 euro, varësisht nga çmimi i shitjes së tyre në afate të ndryshme kohore.

Kompania prestigjioze britanike e fluturimeve British Airways, mori vendim për një ulje të menjëhereshme dhe afatgjate të çmimeve për të gjitha biletat në relacionin Prishtinë-Londër dhe anasjelltas.

Vendimi i menjëhershëm i British Airways erdhi pas përfshirjes së kësaj kompanie në Programin Nxitës dhe Stimulues për Kompanitë Ajrore nga ana e menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, program i cili ishte miratuar dhe përkrahur disa muaj më parë nga ana e Bordit Drejtues të ANP-së.
Kjo është hera e parë në historinë e këtij aeroporti që ANP ndikon në mënyrë të drejpërdrejtë në uljën e çmimit të biletave për udhëtarët.

Çmimet e biletave janë ulur për 15 përqind në bllok, që shprehur në vlera monetare i bie nga 25 e deri 120 euro, varësisht se sa kushtojnë biletat në afate të ndryshme kohore.


“Bordi i ANP-së të cilin unë e drejtoj prej më shumë se një vit, ka përkrahur Menaxhmentin në përpilimin e Programit Nxitës dhe Stimulues për Kompanitë Ajrore me të vetmin qëllim që të ofrojmë kushte sa më të mira për kompanitë ajrore që eventualisht do të shpienin deri tek ulja e çmimeve të biletave. Përshëndesim iniciativën e kompanisë “British Airwyas” për këtë reagim pozitiv dhe të menjëhershëm për uljen e çmimeve. Gjithashtu ftojmë edhe kompanitë ajrore e tjera të reagojnë njëlloj”, tha kryetari i bordit të ANP, Bekim Jashari.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, tha se ndihet personalisht shumë i kënaqur që erdhi deri të ulja e çmimit të biletave.
“Orientimi drejt konsumatorit në këtë rast krijimi i shërbimeve sa më të mira për udhëtarët dhe kompanitë ajrore si dhe lirimi i çimeve, ka qenë caku im që në momentin që kam marrë pozitën e Drejtorit Menaxhues të ANP-së.

Programi Iniciativ Nxitës dhe Stimulues do të japë efekte jo vetëm të British Airwyas, i cili i ka ulur çmimet por edhe te shumë kompani të tjera që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga ky program”, tha Drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.

Sipas tij, ANP pavarësisht që heq dorë fillimisht nga disa të ardhura që do ti realizonte përmes taksës pas aplikimit të programit, ato do ti kthehen në mënyra tjera.

“Kemi shpresa për rritje të mëtutjshme të numrit të udhëtarëve me aplikimin e këtij programi ”, tha drejtori Mustafa.

Ndërsa menaxheri shtetëror për Shqipëri dhe Kosovë i kompanisë British Airwyas, Albion Idrizi, theksoi se kjo ulje e çmimeve është e përhershme dhe ka ardhur falë punës së menaxhmentit të ANP-së.

"Kjo nuk është një ulje sezonale, taktike apo promocionale, por një ulje afatgjate dhe gjithpëpërfshirëse, si rjedhojë e uljes së shpenzimeve në kompaninë tonë. Falë përkushtimit të palodhshëm të menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të ANP-së vitin e fundit, kostoja e operimit te fluturimit të vetëm direkt për në Londër, përjashton koston për kerozinë, do të ulet dukshëm në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. British Airways ka vendosur ta bartë këtë përfitim direkt tek udhëtarët dhe me këtë të inkurajojë të gjitha subjektet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare që të vazhdojnë procesin e normalizimit të transportit ajror", tha menaxheri i British Airwyas, Albion Idrizi.

Për Programin Iniciativ Nxitës dhe Stimulues kanë aplikuar dhe i është miratuar edhe kompanive të tjera ajrore.

British Airwyas operon me katër fluturime në javë në relacionin Prishtinë-Londër dhe anasjelltas ndërsa gjatë vitit të kaluar ka qarkulluar rreth 40 mijë udhëtarë. /Telegrafi/