LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti, kufijtë të hapur por të sigurt

Aeroporti, kufijtë të hapur por të sigurt

Në kuadër të përmbushjes së rregullave të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil- ICAO, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka promovuar brenda Terminalit të Arritjes një hapësirë prej 100 metrave katrorë, ku do të stacionohen personat e papranueshëm apo siç quhen në gjuhën e aviacionit civil INAD, Inadmissible Passengers, dhe të njëjtën hapësirë ia ka dorëzuar për menaxhim Policisë së Kosovës.

Hapësira e promovuar do të ju shërbejë të gjithë udhëtarëve të papranueshëm (INAD) të cilëve ju mohohet hyrja në shtetin e Kosovës dhe që duhet të kthehen sa më shpejt që është e mundur në pikën prej nga kanë ardhur, qoftë me të njëjtin fluturim që kanë ardhur apo me fluturimin e parë të mundshëm për destinacionin prej nga ai udhëtarë është transportuar.

Në ceremoninë e rastit kanë marrë pjesë ministri i Brendshëm Zenun Pajaziti, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Bekim Çollaku, zëvendës drejtoresha e Policisë së Kosovës Atifete Jajaga, drejtori i Policisë kufitare të Aeroportit Bekim Shasivari dhe pjesëtarë të lartë të Policisë së Kosovës.

“Sot po promovoj një hapësirë e cila nga aspekti financiar është një investim modest, por nga aspekti politikë ka një vlerë të jashtëzakonshme. Prej ditës së sotme kategoritë e personave që ju refuzohet hyrja në Kosovë do të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe jo si deri më tani, ku këta persona nuk kanë pasur ku të qëndrojnë”, tha drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.


Sipas tij, ndërtimi i hapësirave të tilla dhe trajtimi në mënyrë humane i kësaj kategorie ka qenë kusht që duhet plotësuar edhe sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës së Aviacionit Civil të Kosovës.

Nga ana tjetër, zëvendës drejtoresha e Policisë së Kosovës tha se me këtë investim që po i dorëzohet sot Policisë së Kosovës po përmirësohen standardet për konsolidimin e kontrollin e kufijve të Kosovës, që është një kusht për integrimin dhe hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Drejtori i Policisë kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Shasivari, tha se ky investim do të ndihmojë policinë në aeroport për ti trajtuar më mirë se deri më tani. Sipas tij, vetëm këtë gjashtëmujorë janë rreth 180 persona të cilët kanë qenë të papranueshëm për të hyrë në Kosovë dhe të cilët janë kthyer mbrapsht për vendet nga kanë ardhur.

“Kemi kthyer mbrapsht 188 persona për shkaqe të ndryshme si dokumente jovalide, mungesë dokumentacioni, dokumente të pakompletuara, apo persona që dëshirojnë ta shfrytëzojnë Kosovën si vend për tu hedhur në perëndim. Këta persona tani falë invesimeve të ANP-së, do ti trajtojmë në mënyrë njerëzore për ti kthyer mbrapsht në vendet e tyre”, tha Shasivari.

Hapësira prej 100 metra katrorë përbëhet nga dy dhoma gjumi, banjë, televizor dhe kushte të tjera, për shkak se mund të ndodhë që personat e papranueshëm të mos kthehen me të njëjtin aeroplan dhe mund ti duhet të kalojnë mbi 24 orë në aeroport deri në fluturimin tjetër.