LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërojnë protesta

Paralajmërojnë protesta

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës janë duke pritur kot për rritjen e pagave. Korporata është më shumë e interesuar të bëjë investime kapitale sesa të rritë pagat e punëtorëve. Ata ka dy muaj që kanë dorëzuar kërkesën e tyre për rritje pagash në bordin e kësaj korporate, por ende asgjë nuk ka lëvizur, përveç formimit të një komisioni për të shqyrtuar kërkesën.

Pjesë e këtij komisioni tre palësh janë tre përfaqësues të bordit, katër nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje dhe tre nga Sindikata e Punëtorëve të KEK’ut.

Gjatë kësaj jave komisioni ka mbajtur takimin e parë dhe pas kësaj do të bëjë analiza rreth gjendjes së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje dhe pritet të dalin me një vendim. Drejtues të Sindikatës thonë se nëse nuk merret vendimi për rritjen e pagave, atëherë ata do të shpërthejnë në protesta e greva, raporton Express.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK’ut, thotë se janë shumë aspekte që mund të ndikojnë në realizimin e kërkesës së sindikalistëve për rritje të pagave. Ai tha se duhet pasur në konsideratë edhe faktin se KEK’u është i orientuar në investime kapitale në të gjitha divizionet, përkatësisht miniera, gjenerim dhe rrjetin e shpërndarjes. Sipas Buzhalës, procesi i privatizimit të rrjetit shpërndarës që është duke ndodhur në këtë kohë, nuk mund të jetë pengese për mosrritje. Përkundër kësaj, ai tha se KEK’u është duke adresuar kërkesën e sindikatës.


“Nuk mund të spekulojmë pa u bërë analiza përfundimtare, por janë shumë faktorë ndikues në këtë aspekt”, tha Buzhala. Ai thotë se Korporata i merr me seriozitetin më të lartë kërkesat e sindikatës dhe do të shikohet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje sikurse edhe për çështjet tjera.

Izet Mustafa, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEK’ut, thotë se janë në pritje për rritjen e pagave, të cilën kërkesë e kishin bërë edhe vitin e kaluar, por pa asnjë rezultat. Atyre u është thënë se së pari do të bëhen analiza, ku pas krahasimit të gjendjes së punëtorëve të Korporatës me ata nga sektorët tjerë, do të dalin me një propozim.

“Besoj se do të kenë parasysh gjendjen e punëtorëve dhe ngritjen e çmimeve në këtë kohë dhe të dalin me një propozim për rritje pagash”, thotë Mustafa. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ai paralajmëron daljen e punëtorëve në protesta e greva. Ai thotë se do të jenë përballë kërkesave që kanë dalë nga kongresi në mënyrë legjitime dhe beson se duke u bazuar edhe në angazhimin në punë edhe në nivelin e pagave ekzistuese, rrezikshmërinë në punë, kjo është kërkesë e arsyeshme. Sindikata në fillim të vitit e kishte proceduar në bordin dhe menaxhmentin e KEK’ut kërkesën për ngritje pagash për 30 për qind.

Kërkesa e tyre ishte bërë me qëllim që pagën prej janarit ta marrin me rritje. Përderisa drejtuesit e Korporatës më herët kishin deklaruar se gjatë këtij viti kanë marrë shkurtime buxhetore, të cilat, sipas tyre, tregojnë se mundësitë për rritje pagash janë shumë të vogla. Paga mesatare e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike është 480 euro. Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë pagat më të ulëta karshi punëtorëve të ndërmarrjeve tjera publike në Kosovë. Në KEK rroga të mëdha ka vetëm personeli menaxhues. Bile rrogat e tyre e krijojnë një mesatare pak sa të lartë në këtë Korporatë. Ndryshe, rrogat e punëtorëve të KEK`ut në termocentrale dhe miniera janë shumë të vogla. /Telegrafi/