LAJMI I FUNDIT:

Nafta Brent e Londrës zgjeron fitimet

Nafta Brent e Londrës zgjeron fitimet

Nafta bruto Brent e Londrës zgjeroi fitimet edhe në ditën e sotme duke u kuotuar përmbi 104 dollarë për fuçi, pasi tensioneve të trazirave sociale në lindjen e mesme i është shtuar edhe tensioni në marrëdhëniet e izraelit me Iranin për shkak të pranisë së anijeve luftarake iraniane në ujërat e Mesdheut.

Edhe nafta bruto amerikane është rritur përmbi 85 dollarë për fuçi pasi raporti i administratës amerikane të informacionit energjetik tregoi për rënie të papritur të stokut të hidrokarbureve në shtetet e bashkuara. Nafta Brent e Londrës për prillin u rrit 24 cent në 104.02 dollarë për fuçi.

Në sesionin e kaluar bençmarku europian u rrit me 2.14 dollarë për në 103.78 dollarë për fuçi, vlera më e lartë që nga shtatori i 2008. Nafta bruto amerikane për marsin u rrit me 12 cent në 85.11 dollarë për fuçi.

Hendeku midis të dy bençmarkëve është në nivelin e 16 dollarë për fuçi dhe një sesion më parë theu një tjetër rekord historik duke regjistruar vlerën 16.31 dollarë për fuçi. /Telegrafi/